

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, ku një avion i vogël është rrëzuar në Gjirin e Meksikës, pranë brigjeve të shtetit të Misisipit, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave, mes tyre dy fëmijë.
Sipas Rojës Bregdetare amerikane, aksidenti ndodhi të martën, më 24 nëntor, kur avioni i tipit Cessna 210 u rrëzua në det, në zonën mes qytetit Pascagoula dhe ishullit Horn Island, pjesë e Parkut Kombëtar Gulf Islands National Seashore.
Në bord ndodheshin katër të rritur dhe dy djem të moshave 8 dhe 10 vjeç. Asnjëri prej tyre nuk arriti të mbijetonte.
Zëdhënësi i Rojës Bregdetare, Juan Ros, bëri të ditur se trupat e viktimave u gjetën nga zhytësit brenda trupit të avionit të rrëzuar.
Sipas autoriteteve, kulla rajonale e kontrollit të trafikut ajror në Mobile, Alabama, raportoi rreth orës 15:45 se kishte humbur kontaktin me avionin.
Menjëherë pas alarmit nisi një operacion kërkim-shpëtimi, i cili vazhdoi për disa orë.
Fillimisht, ekipet e shpëtimit gjetën në sipërfaqen e detit vetëm tri jelekë shpëtimi, një gomone emergjence dhe një pjesë të kabinës së avionit.
Më pas, zhytësit arritën të lokalizonin pjesën kryesore të avionit, ku u gjetën edhe trupat e gjashtë personave.
Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e gjurmimit të fluturimeve FlightAware, avioni po udhëtonte nga New Orleans drejt Fort Myers, në Florida.
Komandanti Trevor Blount, koordinator i operacioneve të kërkim-shpëtimit të Rojës Bregdetare në zonën e Mobile, e cilësoi ngjarjen si tepër të dhimbshme.
“Edhe pse ky nuk është përfundimi që shpresonim, jemi mirënjohës për bashkëpunimin e fortë mes agjencive, që na mundësoi të lokalizonim shpejt personat në avion dhe t’u jepnim familjeve përgjigje për fatin e tyre”, deklaroi ai.
Shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) do të zhvillojnë hetime për të përcaktuar rrethanat e aksidentit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






