Transmetuar më 25-11-2026, 07:24

Tiranë, 25 nëntor 2026 – Mbi pesë orë çdo ditë të shpenzuara për gatimin, pastrimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve e familjarëve, pa asnjë shpërblim financiar, përbëjnë mesataren ditore të punës së papaguar të grave në Shqipëri, ndërsa burrat u kushtojnë të njëjtave përgjegjësi familjare vetëm rreth pesëdhjetë minuta në ditë. Sipas raportit të UN Women me titull Vlerësimi i punës së kujdesit, përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian, të publikuar në vitin dymijë e njëzet e gjashtë, gratë shqiptare i kushtojnë njëzet e një pikë shtatëdhjetë e katër për qind të kohës së tyre ditore punës së papaguar, kundrejt vetëm tre pikë dyzet e shtatë për qind të burrave.

Kjo diferencë prej më shumë se gjashtëfish pasqyron një shpërndarje thellësisht të pabarabartë të përgjegjësive brenda familjes, me pasoja të drejtpërdrejta mbi pjesëmarrjen në tregun e punës, nivelin e të ardhurave dhe mundësitë për avancim profesional. Të dhënat tregojnë se në vitin dymijë e njëzet e katër, tridhjetë pikë shtatë për qind e grave ndodheshin jashtë tregut të punës, krahasuar me shtatëmbëdhjetë pikë shtatë për qind të burrave, ndërsa mes personave joaktivë, një në katër gra raportonte punët e shtëpisë si përgjegjësinë e saj kryesore, kundrejt më pak se një për qind të burrave.

Pabarazia nuk prek vetëm gratë e papuna, pasi edhe për ato që janë të integruara në tregun e punës, ngarkesa e lartë në punët e shtëpisë dhe kujdesin familjar kufizon ndjeshëm kohën në dispozicion për kualifikim profesional, ngritje në karrierë dhe angazhim në aktivitete të tjera ekonomike. Në kushtet e një tregu pune që po përballet me tkurrjen e vazhdueshme të fuqisë punëtore, këto përgjegjësi të papaguara kthehen në një pengesë serioze për shfrytëzimin e plotë të kapitalit njerëzor në vend.

Ndonëse puna e papaguar mundëson funksionimin e përditshëm të familjeve dhe mbështet indirekt aktivitetin ekonomik të anëtarëve të tjerë, vlera e saj monetare mbetet kryesisht e padukshme në statistikat zyrtare ekonomike dhe Shqipëria nuk disponon ende një strategji gjithëpërfshirëse për ekonominë e kujdesit, duke i pasur politikat e shpërndara në akte të ndryshme. Një hap i rëndësishëm u shënua me miratimin e ligjit numër gjashtëdhjetë e katër të vitit dymijë e njëzet e pesë për Barazinë Gjinore, i cili e njeh zyrtarisht punën e papaguar si kontribut në zhvillimin e shoqërisë dhe parashikon promovimin e orareve fleksibël, punës me kohë të reduktuar dhe punës në distancë për të lehtësuar ekuilibrin mes jetës profesionale dhe asaj familjare.

Megjithatë, raporti i UN Women vëren se zbatimi efektiv i këtyre dispozitave kërkon ndryshime të mëtejshme ligjore dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse, duke theksuar se investimet e shtuara në shërbimet publike të kujdesit, veçanërisht në çerdhe, kopshte dhe shërbime për të moshuarit, janë vendimtare për të rritur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit