

Durrës, 24 nëntor 2026 – Oerd Bylykbashi ka njoftuar dorëzimin e detyrës së tij si drejtues politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të nevojshëm për përtëritjen dhe zgjerimin e forcës politike. Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e Partisë Demokratike në Durrës, Bylykbashi bëri të ditur se detyrën ia kishte dorëzuar kryetarit të partisë, Sali Berisha, rreth një javë më parë.
Duke folur para të pranishmëve, Bylykbashi deklaroi se ajo ishte hera e fundit që u drejtohej në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Durrësit, duke shpjeguar se ia kishte dorëzuar detyrën kreut të partisë rreth një javë më parë sepse beson se vetëm në këtë mënyrë mund të çohet përpara përtëritja dhe shumëfishimi i forcave të tyre.
Ai nënvizoi se demokratët kanë vetëm një rrugë, atë që kalon përmes moralit dhe parimeve, duke kujtuar se në nëntëmbëdhjetë vite ka marrë mësime të çmuara nga Berisha, ndër të cilat veçoi porosinë për të qëndruar i palëkundur në parime përballë sprovave të të gjitha këtyre viteve.
Bylykbashi u ndal gjithashtu te zhvillimet në Durrës, duke u shprehur se edhe kur ofertat dhe presionet kanë qenë të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë zgjedhjeve të fundit në bashkinë e dytë më të madhe të vendit, ata nuk kanë bërë kompromis dhe kanë dhënë rezultatin që doli, teksa shtoi se me këtë devizë do të fitojnë edhe zgjedhjet e ardhshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






