Transmetuar më 24-11-2026, 17:17

PRISHTINË — Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për katër personat e arrestuar së fundmi në lidhje me ekzekutimin e Arlinda Zekajt, ngjarje e rëndë e ndodhur më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Kërkesa e organit të akuzës përfshin ish-vjehrrën e viktimës, Nurije Sylaj, ish-kunatin Driton Sylaj, si dhe shtetasit Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi, ndërsa hetimet janë shtrirë zyrtarisht edhe ndaj ish-bashkëshortit të saj, Jeton Sylaj, nën dyshimin për shtytje në vrasje të rëndë.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore të publikuara nga “Betimi për Drejtësi”, ish-vjehrra e kishte mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm Arlindën pas kthimit të saj në shtëpi, duke e fotografuar dhe incizuar çdo lëvizje të saj, teksa në telefonin e saj u gjet edhe një video e dërguar në WhatsApp nga Driton Sylaj.

Hetuesit ngrenë akuza të rënda ndaj Nurije Sylajt, duke theksuar se ajo ka qenë dëshmitare okulare në momentin kur Albert Sylaj e sulmoi viktimën me sëpatë, por nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar, madje pas krimit tentoi të manipulonte hetimet me dëshminë e saj.

Zbërthimi i telefonave të sekuestruar ka nxjerrë në pah mesazhe kërcënuese ndaj një dëshmitareje dhe një të miture, ku ndër të tjera shkruhej: “Diçka nije për to, shoh diçka, dije se tona trutë në tokë kom me ja qitë kësaj e ty, me ditë që s’e shoh diellin kurrë me sy”.

Për Prokurorinë, bisedat e gjetura mes Nurije dhe Driton Sylajt dëshmojnë se brenga e tyre e vetme pas krimit nuk ishte humbja e jetës së 49-vjeçares, por frika se mos dilte në dritë përfshirja dhe bashkëpunimi i tyre në këtë ngjarje.

Në dosje zbardhet edhe roli i dy të ndaluarve të tjerë në ndihmën për arratisjen e autorit të dyshuar, ku Metë Pepaj akuzohet se e transportoi Albert Sylajn drejt fshatit Bec, ndërsa Gëzim Bobi e strehoi në banesën e tij në Gjakovë për ta përcjellë më pas në drejtim të fshatit Maznik.

Për këto arsye, organi i akuzës kërkon lënien e tyre në qeli, me argumentin se lënia e lirë përbën rrezik real për frikësimin e dëshmitarëve, prishjen e provave dhe përsëritjen e veprave penale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit