Transmetuar më 24-11-2026, 14:49

ATHINË — Autoritetet policore në Greqi kanë zbardhur ekzekutimin mafioz të 52-vjeçarit Niko Gavanozi, i njohur me nofkën “Papagalli”, ngjarje e ndodhur më 11 tetor në zonën e Glifadës në Athinë.

Nga hetimet janë identifikuar dy persona të dyshuar për përfshirje në atentat: një 48-vjeçar grek, i cili tashmë është vënë në pranga, dhe 48-vjeçari shqiptar me origjinë nga Saranda, Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe me identitetin Stamatis Qendrothanasi, i shpallur në kërkim.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë greke, Qendrothanasi dyshohet se ka drejtuar motoçikletën me të cilën autorët iu afruan shënjestrës, ndërsa shtetasi grek akuzohet për bashkëpunim, pasi u siguroi atyre transportin për t’u larguar nga zona.

Atentati ndodhi në orët e para të mëngjesit të 11 tetorit 2026 pranë fushës së golfit në Glifadha, fare pranë shtëpisë së viktimës. Ndonëse fillimisht trupi i pajetë pranë motorit krijoi dyshimet e një aksidenti rrugor, këqyrja e vendngjarjes dhe 10 gëzhojat e gjetura konfirmuan se bëhej fjalë për një vrasje të mirëfilltë, ku ekzekutorët u rikthyen për ta qëlluar sërish viktimën pas rrëzimit të tij nga motori.

Nga verifikimet e mëtejshme ka rezultuar se 48-vjeçari shqiptar ishte një emër i njohur për drejtësinë greke, pasi kërkohej edhe për një grabitje të armatosur të kryer më 27 korrik 2023 në një zyrë postare të kompanisë “ELTA” në Mesini.

Hetuesit arritën të zbërthenin lëvizjet e autorëve pas krimit, duke zbuluar se dy personat mbi motor u larguan drejt Keratea-s, ku e fshehën mjetin në një banesë të izoluar. Aty i priste bashkëpunëtori grek, i cili i mori me makinë drejt një zone tjetër të Atikës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia gjeti motoçikletën e përdorur në krim të çmontuar në pjesë dhe të fshehur me kujdes, ku mungonte edhe një komponent kryesor i saj, si dhe sekuestroi automjete, prova dixhitale dhe një helmetë që dyshohet se i përkiste shqiptarit.

Shtetasi grek u arrestua më 18 nëntor në Agrinio dhe u la në paraburgim, pasi rezultonte me precedentë të mëparshëm për mbështetje të organizatave kriminale, ndërsa kërkimet për kapjen e Eduart Qendrothanasit vijojnë intensivisht.

Niko Gavanozi konsiderohej një figurë e skeduar e botës së krimit në kryeqytetin grek, me një të kaluar të ngjeshur në rrjetet e gjobëvënies dhe “mbrojtjes” së lokaleve të natës, për të cilat ishte arrestuar në vitin 2015 së bashku me 20 persona të tjerë.

Po ashtu, emri i 52-vjeçarit ishte lidhur me disa përplasje të përgjakshme mes tifozerisë së klubit “Panathinaikos”, përfshirë plagosje me armë zjarri jashtë stadiumit “Alexandras” në vitet 2018, 2021 dhe së fundmi në korrik të vitit 2024.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit