Transmetuar më 24-11-2026, 14:25

MADRID — Tre shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet spanjolle në kuadër të operacionit të koduar “Ziralla”, nën akuzën se janë autorë të 17 grabitjeve të kryera në banesa në provincat e Ourense-s, Pontevedra-s dhe A Coruña-s.

Sipas mediave spanjolle, të arrestuarit janë identifikuar si Renato D., Ermal N. dhe Florian P., të cilët vepronin si një celulë e mirorganizuar, duke arritur të bastisnin shtëpitë brenda vetëm 10 minutash. Për të vepruar pa gjurmë dhe me saktësi, ata përdornin automjete me targa të modifikuara, pajisje hidraulike për hapjen me forcë të dyerve, si dhe reagentë kimikë për të verifikuar në vend pastërtinë e arit dhe diamanteve të vjedhura.

Gjatë ndjekjes policore, efektivët e Gardës Civile tentuan t’i ndalonin dy herë, por të dyshuarit arritën t’i shpëtonin rrethimit falë një automjeti të fuqishëm me mbi 350 kuaj fuqi, duke u përplasur madje edhe me makinat e patrullave gjatë arratisjes.

Prangosja e tyre u finalizua më 18 nëntor në zonën e Vila de Cruces në Pontevedra, ku tre shqiptarët kishin ngritur një bazë strehimi duke fjetur në një çadër kampingu në mes të pyllit. Aktualisht ata ndodhen në paraburgim, ndërsa hetuesit spanjollë po vijojnë verifikimet pasi dyshohet se bilanci i vjedhjeve të kryera nga ky grup mund të jetë edhe më i lartë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit