

STAMBOLL — Një sistem kompleks tunelesh dhe dhomash të fshehta nëntokësore, që shtrihen në qindra metra, ka dalë në dritë poshtë monumentit të Shën Sofisë në Stamboll. Ekipet arkeologjike po vijojnë gërmimet dhe pastrimin e terrenit, me pritshmërinë se nëntoka e këtij objekti fsheh ende struktura të tjera të pazbuluara.
Ky zbulim hedh dritë të re mbi historinë e një prej monumenteve më emblemë të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. E ngritur në shekullin e gjashtë si kishë mbi themelet e një tempulli romak, Shën Sofia ka kaluar përmes transformimeve të mëdha: fillimisht në xhami, më pas në muze, për t’u rikthyer sërish si vend faljeje në vitin 2020.
Ndërtesa që shohim sot, e përfunduar në vitin 537 pas Krishtit, është objekti i katërt i kultit i ngritur në të njëjtën pikë. Megjithatë, të dhënat e para tregojnë se disa prej korridoreve të sapozbuluara datojnë shumë më herët se vetë katedralja perandorake.
Gërmimet nisën në vitin 2025 si pjesë e një plani trevjeçar për restaurimin e monumentit dhe forcimin e kupolës qendrore ndaj lëkundjeve sizmike. Kjo është ndërhyrja më e thellë dhe më ambicioze që i bëhet godinës në rreth 15 shekuj ekzistence.

Për breza me radhë, në Stamboll kanë qarkulluar gojëdhëna mbi kalime të fshehta poshtë monumentit. Ndonëse një dhomë varrimi romake me katër ndarje ishte evidentuar që në vitet 1940, pjesa dërrmuese e hapësirave me harqe nën oborrin e dikurshëm të atriumit u zbulua vetëm gjatë pastrimeve të fundit.
Skanimet me laser në terren kanë dokumentuar një labirint të vërtetë me kanale ujësjellësi, dhoma me qemerë, varre antike dhe një kalim që besohet se lidhet me një rrugë romake të shekullit V. Sipas Hasan Fırat Diker, anëtar i Komitetit Shkencor të Shën Sofisë, avancimi i punimeve do të zbardhë të gjithë hartën nëntokësore të kompleksit.
Deri në këtë fazë janë pastruar 420 metra korridore dhe janë nxjerrë rreth 3 mijë tonë dhera e mbetje, por ekspertët vlerësojnë se rrjeti mund të zgjatet për disa kilometra. Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, bëri me dije pas inspektimit të zonës se këto tunele kanë shërbyer historikisht për furnizimin me ujë dhe drenazhimin e reshjeve.

Aktualisht janë evidentuar gjashtë dhoma të lidhura përmes nëntë tuneleve, ku segmenti më i gjatë arrin në 180 metra dhe shtrihet paralelisht me fasadën kryesore, nga Medreseja Fatih drejt hyrjes së vizitorëve. Nën zonën e njohur si Kopshti i Vezirit, në një thellësi prej 1,5 metrash nën baltë, ndodhet struktura romake e varrimit, e cila dëshmon shtresëzimet e hershme të qytetit.
Autoritetet synojnë që pas përfundimit të restaurimit, një pjesë e këtyre ambienteve të hapet për publikun, ndonëse ende nuk ka një afat zyrtar. Historiani Hasan Barış Partal e cilëson këtë si një pikë kthese për turizmin kulturor të qytetit, duke e krahasuar vizitën e ardhshme me zbritjen në katakombet e Vatikanit poshtë Bazilikës së Shën Pjetrit.
Sipas tij, këto galeri ishin pjesë e inxhinierisë së avancuar të ujësjellësve të Kostandinopojës së lashtë. Vetë Shën Sofia u ngrit me dekret të perandorit Justinian I në vitin 523 dhe u përfundua brenda pesë vitesh, duke mbledhur artefaktet më të çmuara nga të gjitha provincat e Perandorisë Romake të Lindjes, me një kosto që me vlerën e sotme llogaritet rreth 1,3 miliardë dollarë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






