

TIRANË — Me përjashtimin e Elisa Spiropalit, Partia Socialiste mbetet me 81 deputetë dhe për të miratuar projektligjet me shumicë të cilësuar i duhen 3 votat e Tom Doshit.
Mbledhja e sotme e grupit parlamentar ishte formalizim i urdhrit që Rama dha në asamblenë e fundit të Partisë Socialiste, kur pati një debat me Elisa Spiropalin në lidhje me qëndrimet e saj për Belinda Ballukun.
Vetë Rama mungoi në mbledhje, duke ia lënë drejtimin e saj Taulant Ballës, ndërsa vetëm dy deputetë kanë abstenuar, Bledi Çuçi dhe Erion Braçe.
Spiropali u shkarkua nga posti i ministres së Jashtme në muajin janar të këtij viti, mes paranojës dhe thashethemeve të përmendura nga Rama për “anglishtfolës” që u pëshpërisnin në vesh partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me aferat e korrupsionit të qeverisë.
Pas shkarkimit, Spiropali nuk pranoi të votojë për mbrojtjen e Belinda Ballukut nga arrestimi i kërkuar nga SPAK dhe më vonë kërkoi distancimin e Ramës nga ish-zv.kryeministrja, e cila është e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, për korrupsion dhe pastrim parash.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






