

SHKODËR — Pavarësisht rënies së temperaturave dhe reshjeve të dëborës në disa zona të qarkut, situata në nivel qarku paraqitet e qëndrueshme.
Në Bashkinë Shkodër, gjatë ditës së djeshme, në orët e pasdites, në zonën e Qafë Thores janë regjistruar reshje të dobëta dëbore, pa shkaktuar problematika. Ekipet dhe mjetet e bashkisë janë angazhuar në terren, ku është kryer pastrimi i rrugës dhe trajtimi i saj me kripë për parandalimin e ngricave. Deri në këto momente nuk raportohen problematika të tjera në territorin e bashkisë.
Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, Bashkisë Vau i Dejës dhe Bashkisë Pukë nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile nga strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile.
Sa i përket situatës hidrologjike, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë bën me dije se nivelet e ujit vijojnë të jenë nën kuotat e rrezikut dhe veprat ujore nuk paraqesin problematika.
Sipas informacionit të kontraktorëve përgjegjës për mirëmbajtjen rrugore, në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth moti paraqitet i kthjellët, ndërsa janë regjistruar rënie të temperaturave, kryesisht në zonën e Qafë Thores, ku janë marrë masat e nevojshme për trajtimin e rrugëve me kripë me qëllim parandalimin e ngricave dhe qarkullimi i mjeteve vijon normalisht.
Në aksin Han i Hotit–Vermosh vijojnë punimet për pastrimin e materialeve inerte të rëna në rrugë nga ekipet e mirëmbajtjes, ndërsa qarkullimi i mjeteve kryhet pa probleme.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkërendim me strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, vijon monitorimin e situatës dhe mbetet në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






