

Katër persona, mes tyre dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës, janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi gjatë kontrollit të një automjeti të blinduar u zbuluan armë zjarri dhe një fenelinë e ngjashme me ato që përdor policia.
Ngjarja është konstatuar pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, ku shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, ndaluan për kontroll një automjet të markës “Audi”, në të cilin udhëtonin katër persona.
Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, efektivët gjetën një pistoletë brenda një çante të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të makinës.
Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, u gjet një tjetër pistoletë.
Pas veprimeve të para procedurale, policia arrestoi në flagrancë E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës; I. Sh., 28 vjeç; L. M., 42 vjeç, ushtarak; dhe E. S., 46 vjeç, gjithashtu ushtarak.
Të katër u arrestuan për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Pistoleta e gjetur në automjet u sekuestrua si provë materiale, së bashku me një fenelinë të ngjashme me ato të policisë, të cilën dyshohet se e mbante 28-vjeçari I. Sh.
Sa i përket pistoletës që iu gjet punonjësit të Gardës së Republikës, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po kryen verifikime për të sqaruar rrethanat e mbajtjes së saj.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit prej personave të arrestuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






