

Rëndohet bilanci i atentatit me armë zjarri të ndodhur mëngjesin e së hënës në lagjen Një Maji të Fierit, pasi ka ndërruar jetë në spital edhe Jakup Hasani, nipi i Selami Hasanit.
I riu kishte marrë tre plumba në trup gjatë sulmit të djeshëm dhe, pavarësisht ndërhyrjes dhe kujdesit intensiv mjekësor, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda.
Ngjarja e rëndë u regjistrua dje rreth orës nëntë e dyzet pranë banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe me nofkat Sel Çami ose Seli i Matit, i cili u ekzekutua me armë zjarri teksa ndodhej duke punuar në oborrin e shtëpisë së tij.
Autorët hapën zjarr me breshëri plumbash në drejtim të gjashtëdhjetëvjeçarit dhe nipit të tij, duke u larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes.
Pak pas atentatit, shërbimet e policisë konstatuan një automjet të përfshirë nga flakët në fshatin Ndërmenas, i dyshuar si një prej mjeteve të përdorura nga autorët, brenda të cilit u gjetën edhe dy armë zjarri.
Pak më vonë, një tjetër automjet tip Volvo u gjet i shkrumbuar pranë rrethrrotullimit të Pojanit, duke ngritur dyshimet e forta se të dyja makinat janë përdorur për kryerjen e atentatit dhe më pas janë djegur për të zhdukur çdo gjurmë.
Selami Hasani ishte një emër i njohur për kronikën e zezë në Fier, pasi ishte dënuar me njëzet e pesë vite burgim për përfshirjen në ngjarjen e rëndë të njëzet e pesë marsit të vitit dy mijë e dy në zonën e njohur si Sheshi i Valutës, ku mbetën të vrarë Julian Isufaj dhe kambisti Esat Tare, si dhe u plagosën dy persona të tjerë.
Pas shtatë vitesh në arrati, Hasani u prangos më dymbëdhjetë gusht të vitit dy mijë e nëntë gjatë një operacioni të forcave speciale RENEA të koduar Parukieri, dhe doli nga qelia në fund të vitit dy mijë e njëzet e një pasi kishte vuajtur rreth njëmbëdhjetë vite burg.
Ekzekutimi i Selami Hasanit dhe tashmë vdekja e nipit të tij rikthejnë në vëmendje përplasjen e hershme mes familjeve Hasani dhe Isufaj, megjithëse motivet e sakta të atentatit mbeten ende të paqarta dhe janë objekt i verifikimeve.
Grupi hetimor dhe policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, po vijojnë punën intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






