Transmetuar më 23-11-2026, 19:45

Athinë, 23 nëntor 2026 – Disa autobusë në pronësi të forcave të ndërhyrjes së shpejtë të policisë greke janë përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të hëne në zonën e Gudhit, në Athinë. Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet vendase, zjarri ka nisur në pjesën e motorit të njërit prej autobusëve, i cili sapo ishte kthyer nga shërbimi dhe po parkohej pranë automjeteve të tjera, ndërsa më pas flakët janë përhapur me shpejtësi edhe te mjetet e tjera të parkuara ngjitur, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Policia greke ka saktësuar se në momentin e shpërthimit të zjarrit autobusët ndodheshin bosh, ndaj nuk raportohet për persona të rrezikuar apo të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie dhe ekipe zjarrfikësish, të cilët kanë ndërhyrë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Mësohet se autobusët e dëmtuar ishin mjete të vjetra që vijonin të përdoreshin në shërbim, ndërsa policia greke ka porositur tashmë gjashtëdhjetë autobusë të rinj për rinovimin e flotës së saj.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit