

Tiranë, 23 nëntor 2026 – Gjashtë muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore, forcat politike në vend nuk i kanë zyrtarizuar ende kandidaturat e tyre për nëntë majin, por në kampin socialist janë intensifikuar takimet organizative pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe Asamblesë së Tiranës. Sfida më e rëndësishme dhe më e vështirë e mazhorancës mbetet bashkia e kryeqytetit, ku brenda forumeve drejtuese qarkullojnë deri më tani tre emra si kandidatura të mundshme, përkatësisht ministri i Brendshëm Ervin Demo, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu, të cilët konsiderohen si figurat politike me gjasa për të garuar në bashkinë më të madhe të vendit.
Në tre bashkitë e tjera të qarkut të Tiranës pritet të ketë vijimësi me rikandidimin e Rakip Sulit në Kamëz dhe të Blerim Sherës në Vorë, ndërsa për Kavajën emri që lakohet për të hyrë në garë nën siglën e Partisë Socialiste është ai i drejtorit të spitalit, Arben Rugia. Ndërkohë, me hyrjen në fuqi të hartës së re territoriale, Bashkia e Elbasanit merr përmasa edhe më të mëdha duke përfshirë edhe Belshin e Cërrikun, territor për të cilin mazhoranca pritet t’i besojë garën ministrit të Bujqësisë, Andis Salla.
Një tjetër qendër me peshë të veçantë elektorale mbetet Bashkia e Durrësit, ku një prej emrave të përfolur brenda radhëve socialiste për të kandiduar është deputeti i këtij qarku, Ani Dyrmishi. Megjithatë, vendimmarrja përfundimtare dhe fjalën e fundit për përzgjedhjen e dyzet e gjashtë kandidatëve për kryetarë bashkish do ta kenë kryeministri Edi Rama dhe kryesia e Partisë Socialiste.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






