Transmetuar më 23-11-2026, 18:21

Londër, 23 nëntor 2026 – Arion Kurtaj, hakeri shqiptar që u bë i njohur në mbarë botën pas sulmit kibernetik ndaj kompanisë Rockstar Games dhe publikimit të pamjeve të papublikuara të videolojës GTA 6, është liruar nga burgu në Britaninë e Madhe pasi ka vuajtur një pjesë të konsiderueshme të dënimit të tij shtatëvjeçar, ndërsa para lirimit mori një paralajmërim të drejtpërdrejtë nga gjykatësi për të mos u përfshirë më në veprimtari të paligjshme. I riu njëzet e njëvjeçar ishte dënuar për një seri sulmesh kibernetike ndaj disa gjigantëve ndërkombëtarë, mes të cilëve Rockstar Games, Uber, Revolut dhe BT/EE, në kuadër të grupit të njohur Lapsus$.

Rasti që solli bujë globale daton në vitin 2022, kur Kurtaj depërtoi në sistemet e brendshme të Rockstar Games dhe vodhi materiale konfidenciale nga zhvillimi i GTA 6, rreth nëntëdhjetë video me afërsisht një orë pamje nga loja që mbahej nën masa të rrepta fshehtësie, por sulmi shkoi përtej vjedhjes e publikimit pasi ai hyri edhe në platformën e brendshme të komunikimit Slack të kompanisë dhe kërcënoi se do të bënte publik kodin burimor nëse drejtuesit nuk e kontaktonin përmes Telegram-it brenda njëzet e katër orësh. Një element që e bëri rastin edhe më të veçantë ishte fakti se, megjithëse kompjuteri i tij ishte sekuestruar më parë nga autoritetet, ai arriti të depërtonte në sistemet e kompanisë duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick të lidhur me televizorin në dhomën e hotelit ku qëndronte, së bashku me një tastierë dhe maus Bluetooth.

Sipas hetimeve, sulmet e ndërmarra kanë shkaktuar dëme të vlerësuara në rreth dhjetë milionë paund, teksa dyshohet se të dhënat e vjedhura u përdorën edhe për të shënjestruar investitorë të kriptomonedhave, me prokurorinë që pretendoi se grupi përfitoi të paktën treqind mijë dollarë nga viktima të ndryshme, ndërsa vetë Rockstar Games njoftoi se rikuperimi pas sulmit i kushtoi rreth pesë milionë dollarë përveç mijëra orëve punë të stafit për të përballuar pasojat. Lirimi i Kurtajt shoqërohet me masa të posaçme kufizuese që do të mbeten në fuqi për pesë vite, duke i vendosur kufizime në aktivitetin e tij në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.

Sipas raportimit të BBC-së, gjatë procesit gjyqësor mbrojtja argumentoi se i riu vuante nga çrregullimi i spektrit të autizmit dhe se bota virtuale i ofronte një rrugë më të lehtë komunikimi e krijimi lidhjesh shoqërore, ndërsa avokatët theksuan se gjatë pandemisë ai ishte izoluar dhe përfshirja te Lapsus$ i kishte dhënë ndjenjë përkatësie dhe vetëvlerësimi, teksa gjykatësi Turner e cilësoi atë si një të ri me aftësi të veçanta, duke i porositur të mos i përdorte më për krime e duke i drejtuar fjalët e qarta se nuk duhej lejuar që kjo të ndodhte përsëri, në një çështje që mbetet ndër më të bujshmet e sigurisë kibernetike në industrinë e videolojërave dhe ndër rrjedhjet më të mëdha të informacionit në historinë e zhvillimit të GTA 6.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit