Transmetuar më 23-11-2026, 16:59

ATHINË — Në Athinë, Marta Kos e renditi Shqipërinë mes katër vendeve më të përparuara në rrugën drejt anëtarësimit dhe tha se pret që presidenca greke të punojë për zgjerimin e Bashkimit Europian.

Greqia do të marrë drejtimin e Këshillit të BE-së në korrik 2027 dhe do ta mbajë deri në dhjetor, pikërisht kur Tirana synon të mbyllë negociatat.

Komisionerja për Zgjerimin e dha këtë mesazh në takimin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të thirrur nga ministri i Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis. Para ministrave të mbledhur në Athinë, Kos veçoi dy vende të rajonit për ecurinë e negociatave.

“Mes katër vendeve që kryesojnë, dy janë nga Ballkani Perëndimor, Mali i Zi dhe Shqipëria. Shpresoj që kjo t’i nxitë edhe vendet e tjera të arrijnë rezultate”, tha Marta Kos, komisionere e BE-së për Zgjerimin.

Tre vjet më parë, pikërisht Athina e kushtëzoi mbështetjen për hapin e radhës të Shqipërisë në negociata me çështjen e Fredi Belerit.

Në një qëndrim me shkrim drejtuar Këshillit të BE-së, qeveria greke kërkonte zgjidhje për kryetarin e zgjedhur të Himarës, i cili ndodhej në paraburgim dhe kërkonte të lejohej të bënte betimin.

Sot Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj. Për 31 të tjerët, udhërrëfyesi i Komisionit parashikon që Tirana të përmbushë kushtet në kohë dhe BE-ja të verifikojë rezultatet.

Nëse ky kalendar respektohet, kapitujt e fundit do të mbyllen gjatë presidencës greke.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit