

TIRANË — Partia Demokratike po mbledh propozimet nga degët për figurat me të cilat do të garojë në zgjedhjet lokale të 9 majit.
Afati për mbledhjen e kandidaturave skadon të hënën e ardhshme, por deri më tani janë mësuar disa prej emrave që do të hyjnë në këto zgjedhje.
Mësohet se dy deputetë mund ta lenë mandatin e të garojnë në zgjedhjet e 9 majit.
Gjin Gjoni mund të garojë për bashkinë e Lezhës dhe Xhelal Mziu tashmë ka nisur punën për garën për bashkinë e Kamzës.
Në Kavajë, Mirditë e Has do të garojnë kryetarët aktualë të bashkive, Fisnik Qosja, Albert Mëlyshi dhe Miftar Dauti.
Emrat e propozuar nga degët e PD-së përfshijnë Ilir Alimehmetin në Tiranë, Gjin Gjonin në Lezhë, Edmond Shkozën, Kastriot Pirolin, Behar Haxhian dhe Elda Hotin në Kurbin, Ardian Gashin në Durrës, Parid Mahmutajn në Berat, Rrahman Demajn në Kukës, Feride Rrahmanajn në Tropojë, Aulon Kalajan në Krujë, Xhelal Mziun në Kamëz dhe Albert Malajn në Tepelenë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






