Transmetuar më 23-11-2026, 14:50

SERBI — Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se nëse dikush tenton ta arrestojë, do të nisë grevën e urisë, duke pohuar se një veprim i tillë do të nxiste daljen e një milion njerëzve në rrugë, ndërsa ka folur edhe për mundësinë e pjesëmarrjes së Partisë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Vuçiç ka komentuar situatën politike në Serbi, shumicën parlamentare të Listës Studentore dhe mundësinë e arrestimit të tij, duke theksuar se nuk ka ndërmend të largohet dhe se në rast të një tentative për arrestimin e tij do të hyjë në grevë urie.

“E çfarë do të bëni atëherë me një milion njerëz në rrugë, në sekondën kur kjo të ndodhte? Unë nuk jam Marinika Tepiç dhe Bosko Obradoviç që të bëj shaka duke ngrënë ëmbëlsira në mbrëmje dhe fruta gjatë ditës. Nuk kam asnjë problem. Ata menduan se do të ikja, se do të fshihesha”, deklaroi Vuçiç.

Ai ka kritikuar gjithashtu përfaqësuesit e Listës Studentore, duke pretenduar se synimi i tyre është t’u bëjnë dëm njerëzve që nuk i pëlqejnë, ndërsa duke folur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi tha se personalisht është më shumë për opsionin që SNS të mos marrë pjesë në to, pasi sipas tij pjesëmarrja në rrethanat aktuale do t’u jepte legjitimitet kundërshtarëve politikë.

“Pse do ta bënim këtë, derisa njerëzit tanë po përndiqen, keqtrajtohen dhe ngacmohen?”, deklaroi Vuçiç.

Vendimi përfundimtar, sipas tij, do të merret në kuvendin e SNS-së më 13 dhjetor, ndërsa ka bërë të ditur gjithashtu se në kryesinë e partisë pritet të ketë ndryshime dhe përfshirje të rreth 1.000 anëtarëve të rinj në Këshillin Kryesor, duke shtuar se nuk do ta raportojë rastin në polici pasi nuk ka besim në institucionet policore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit