

TIRANË — Ndërsa gara për Bashkinë e Tiranës mbetet ende një ekuacion me shumë të panjohura, Partia Demokratike ka avancuar me emrat që pritet të garojnë në bashkitë e tjera të vendit.
Nga grupi parlamentar demokrat, të paktën dy deputetë pritet të lënë mandatin për të hyrë në garën e 9 majit, ku Gjin Gjoni në Lezhë dhe Xhelal Mziu në Kamzë janë dy emrat që përfliten si kandidatë të sigurt në radhët e opozitës.
Një tjetër vendim që duket se është marrë në PD lidhet me kryetarët aktualë të bashkive të drejtuara nga opozita, të cilët pritet të rikandidojnë për një mandat të dytë, ndërsa Kavaja, Hasi, Mirdita, Tepelena dhe Puka janë bashkitë ku demokratët do të mbështesin sërish drejtuesit aktualë.
Ndërkohë, në disa qytete të tjera kanë nisur të qarkullojnë emra konkretë, ku Vlora, Kukësi dhe Durrësi janë tre prej bashkive ku PD duket se po orienton zgjedhjet drejt kandidaturave të reja: Atird Hoxha në Vlorë, Rrahman Dema në Kukës dhe Adrian Gashi në Durrës.
Megjithatë, lista nuk është ende përfundimtare dhe më shumë qartësi pritet të ketë në javën e parë të dhjetorit, kur degët lokale të PD-së të përmbyllin procesin e propozimeve dhe diskutimeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






