

KOSOVË — Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se nisma e re lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara do të procedohet brenda kësaj jave, duke vlerësuar se çështja ka pasur pengesa procedurale dhe jo përmbajtësore.
Haxhiu ka paralajmëruar se këto çështje procedurale pritet të tejkalohen dhe se do të ketë një draft të ri lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara, të cilin ajo e cilësoi si të padrejtë.
“Sa i përket Ligjit për Specialen, ne si Kryesi e Kuvendit kërkuam një opinion, raport lidhur me veprimet e radhës, sepse sipas Rregullores, Komisioni përkatës i ka katër javë për ta proceduar raportin në seancën plenare. Nga Drejtoria Ligjore kemi kërkuar se çfarë ndodh në rrethanat kur ky afat kalohet”, deklaroi Haxhiu.
Ajo shtoi më tej: “Sipas informacioneve që kam, një nismë e re do të procedohet brenda kësaj jave. Më duhet të theksoj se nuk kemi pasur një problem përmbajtësor, çështjet kanë qenë komplet procedurale. Ato besoj se tashmë do të tejkalohen dhe do të ketë një draft të ri lidhur me çështjen e vendimit të padrejtë të Speciales.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






