

FIER — Pas vrasjes së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami” ose “Seli i Malit”, policia po ushtron kontrolle në banesën e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, pasi një nga pistat kryesore që po hetohet për ekzekutimin është ajo e hakmarrjes.
Selami Hasani u ekzekutua mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen “1 Maji” të Fierit, teksa po punonte në murin rrethues të shtëpisë, ndërsa nga atentati mbeti i plagosur edhe nipi i tij, Jakupi.
Viktima nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë, pasi rezulton të ketë qenë i dënuar me 25 vite burg për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 25 mars 2002, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës” në Fier. Gjatë asaj përplasjeje me armë zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj, nipi i “Ben Qimes”, dhe kambisti Esat Tare, ndërsa mbetën të plagosur Bledar Kastrati dhe kalimtari i rastit Taip Sulaj. Sipas dosjes hetimore, në ngjarje u përfshinë Selami Hasani dhe Pëllumb Yzeiraj, me motiv hasmërinë e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.
Pas ngjarjes së vitit 2002, Selami Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati, derisa më 12 gusht 2009 u arrestua në Fier nga forcat RENEA gjatë operacionit të koduar “Parukieri”, ku policia i sekuestroi dy pistoleta. Hasani ishte liruar nga burgu vetëm një javë më parë, pasi kishte vuajtur 17 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt.
Ndërkohë, për atentatin e kësaj të hëne policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa një automjet tip “Volvo”, që dyshohet se është përdorur në krim, u gjet i djegur në fshatin Ndërmenas. Për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar nëse vrasja lidhet me hasmërinë e vjetër mes familjeve, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e atentatit.
Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”, konsiderohet një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Fier dhe emri i tij lidhet me një histori të gjatë konfliktesh, që sipas dosjeve dhe dëshmive të publikuara ndër vite nisën pas vrasjes së babait të tij, Enver Isufaj, në një bilardo në zonën e Sheqit në Fier. Në atë ngjarje dyshohet se morën pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit, çka shënoi përshkallëzimin e konfliktit mes dy familjeve, i cili vijoi më 25 mars 2002 me vrasjen e Julian Isufajt dhe kambistit Esat Tare. Arben Isufaj është përmendur ndër vite edhe në disa hetime e çështje gjyqësore për ngjarje të rënda kriminale, aktivitetin e trafikut të narkotikëve dhe hetime për pasuritë e tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






