

KOSOVË — Në Gjilan të Kosovës është arrestuar Endrit Azemi, pasi dyshohet se ka mashtruar qytetarët duke pretenduar se vuante nga leukemia akute dhe kishte nevojë për ndihmë financiare për kurimin e tij.
Nëpërmjet një fushate në “GoFundMe” dhe donacioneve të mbledhura edhe në sheshin e Gjilanit, dyshohet se janë grumbulluar afro 190 mijë euro.
Sipas hetimeve, prokuroria ka konstatuar se i riu nuk vuante nga sëmundja për të cilën kërkonte ndihmë. Për mbledhjen e parave ishin angazhuar edhe familjarët e tij, ku motra e tij, Kosovare Azemi, kishte bërë thirrje publike që qytetarët të kontribuonin sipas mundësive, ndërsa donacione ishin mbledhur edhe drejtpërdrejt në sheshin e Gjilanit.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, Azemi dyshohet se kishte sajuar historinë e sëmundjes që prej 9 nëntorit 2026, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar, duke mbledhur nga fushata plot 189 mijë e 206 euro e 8 centë.
Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë bllokuar paratë në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në lidhje me rastin, ndërsa Endrit Azemi u ndalua për 48 orë dhe prokuroria pritet t’i kërkojë Gjykatës Themelore në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “Mashtrimi”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






