

FIER — Nëndrejtori i Policisë Fier, Alkët Ahmetaj, ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e Selami Hasanit, i cili u ekzekutua me armë zjarri këtë të hënë në lagjen “1 Maji” në Fier.
Sipas tij, telefonata për të shtënat me armë mbërriti rreth orës 09:50 në sallën operative të policisë dhe pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se një person kishte humbur jetën, ndërsa një tjetër ishte plagosur.
Ahmetaj konfirmoi se i plagosuri është nipi i viktimës dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit, duke sqaruar se ngjarja ka ndodhur jashtë oborrit të banesës, ku viktima ishte duke punuar në murin rrethues.
Sa i përket automjetit të djegur të gjetur në rrethrrotullimin e Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, nëndrejtori bëri të ditur se policia po verifikon çdo informacion për automjetet dhe personat e dyshuar, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore ku dyshohet se mund të lëvizin autorët ose automjetet e përfshira në ngjarje.
“Rreth orës 09:50, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka mbërritur një telefonatë për të shtëna me armë në lagjen “1 Maji”. Pas marrjes së njoftimit, forcat “Shqiponja” dhe patrullat e përgjithshme të policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes, ku kanë konstatuar se një shtetas kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur. Ngjarja ka ndodhur në perimetrin e jashtëm të oborrit të banesës së viktimës, e cila po punonte aty. Në të njëjtin vend është plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e veprës penale”, deklaroi Ahmetaj për mediat.
I pyetur nga gazetarët nëse i plagosuri është nipi i viktimës, Ahmetaj u përgjigj: “Po, është nipi i viktimës. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.”
Lidhur me autoveturën e djegur të gjetur në rrethrrotullimin e Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, dhe nëse ajo ka lidhje me ngjarjen, nëndrejtori tha: “Shërbimet e policisë po verifikojnë të gjitha informacionet për automjetet dhe personat e dyshuar. Veprimet hetimore po vijojnë. Do t’ju informojmë për çdo zhvillim të ri në lidhje me hetimin.”
Pyetjes nëse u prish qetësia në qarkun e Fierit me vrasjen e sotme, ai iu përgjigj: “Policia e Shtetit punon në çdo moment për të parandaluar ngjarjet kriminale. Në këtë rast do të marrim masat për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë. Kjo është detyra jonë. Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset ku mund të lëvizin autorët ose automjetet që mund të jenë përfshirë në ngjarje.”
Ndërsa i pyetur për kamerat e sigurisë në vendngjarje dhe informacionet se autorët kanë qenë me maska dhe kanë kaluar nga muri rrethues i banesës, Ahmetaj deklaroi: “Mund t’ju them se viktima ka qenë duke punuar në murin rrethues të banesës së tij. Aty ka ndodhur ngjarja. Po kryhet këqyrja e vendit të ngjarjes dhe po merren pamjet e kamerave. Për momentin, po kryhen veprimet e para hetimore. Do t’ju informojmë për zhvillimet.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






