

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP këtë të hënë ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me operacionin antidrogë të zhvilluar të dielën në Gramsh. Në njoftim bëhet me dije se janë arrestuar 2 persona teksa është shpallur në kërkim një tjetër.
Të arrestuarit të moshës 33 vjeç dhe 39 vjeç mësohet se ishin nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
AMP bën me dije se po vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së punonjësve të Policisë në këtë veprimtari.
Njoftimi i plotë:
AMP finalizon hetimin me metoda speciale në Gramsh, dy të arrestuar, një i ndaluar dhe një në kërkim. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka kryer veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i Kodit Penal, në qytetin e Gramshit.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë ushtruar kontrolle në banesat e disa shtetasve, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 150 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe 0.62 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale: U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve T.H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç, të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Ndaj të dy shtetasve ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, u bë ndalimi i shtetasit E.S., 46 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.J., 31 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së punonjësve të Policisë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur për të vijuar hetimet me profesionalizëm dhe pa asnjë kompromis ndaj paligjshmërisë, si dhe për të çuar përpara përgjegjësisë ligjore çdo punonjës të strukturave policore që përfshihet në veprimtari të kundërligjshme, pavarësisht funksionit apo detyrës që ushtron.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






