

BELSH — Fermerët në shumë zona të vendit po përballen me vështirësi të mëdha në tregtimin e vajit të ullirit, pasi çmimet e ofruara nga grumbulluesit kanë zbritur në 300–350 lekë për litër, nën koston e prodhimit. Çmimi i ulët dhe bllokimi i eksporteve po sjellin që shumica e prodhimit të ri të mbetet stok në shtëpitë e fermerëve, ndërsa rrezikohet edhe braktisja e ullishteve.
Fermerë në zonën e Belshit ngrenë si shqetësim kryesor mungesën e tregut për shitjen e vajit të ullirit dhe rënien e fortë të çmimeve, pavarësisht prodhimit të mbarë këtë sezon. Ata kërkojnë të paktën ta tregtojnë vajin me 500 lekë për litër për të mbuluar kostot e prodhimit, përfshirë pagesat e vjelësve që variojnë nga 3.500, 4.500 deri në 5.000 lekë në ditë, ndërsa në disa zona deri tani është mbledhur vetëm 20% e prodhimit.
Agron Qypi, i cili zotëron rreth 400 rrënjë ullinj, pohon se prodhimi për pemë është rritur nga 17 kg sezonin e kaluar në rreth 30 kg këtë vit, por shtimi i prodhimit nuk është shoqëruar me rritje të të ardhurave. Sipas tij, edhe çmimi prej 500 lekësh për litër nuk mbulon shpenzimet për vjeljen, krasitjen dhe shërbimet e tjera në ullishte, ndaj vaji duhet të shitet mbi 600 lekë për litër për të mbuluar kostot dhe për të siguruar fitim.
Shqetësimin e ndan edhe fermeri Bashkim Zenaj, i cili thekson se grumbulluesit po ofrojnë rreth 350 lekë për litër, çmim që ai e konsideron të paleverdishëm. “Këtë vit, prodhimi i vajit të ullirit është i mbarë, por mungon tregu i shitjes. Vaji po kërkohet me çmim 350 lekë për litër, dhe pritet të bjerë edhe më shumë. Çmimi i kërkuar është i paleverdishëm. Jemi të detyruar ta mbajmë vajin në shtëpi stok”, pohon ai.
Ndërsa Alket Peqini tregon se ende nuk ka shitur një pjesë të prodhimit të vitit të kaluar, me vlerë rreth 100 mijë lekë, dhe kërkon ndërhyrjen e shtetit për grumbullimin e vajit deri në stabilizimin e çmimeve. “Në shtëpi kam ende të pashitur nga prodhimi i vjetshëm, vaj ulliri në vlerën e 100 mijë lekëve. Nuk di se çfarë do të bëj me prodhimin e ri të vajit të ullirit. Do ta hedh në kanal sepse nuk kam ku ta tregtoj me këtë çmim. Shteti duhet të na ndihmojë me grumbullimin e vajit deri sa çmimi të stabilizohet, ashtu siç po ndodh edhe në vende të tjera të Europës”, deklaron ai.
Problemi lidhet edhe me bllokimin e eksporteve. Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues i vajit të ullirit në zonën e Belshit, bën me dije se deri tani nuk ka grumbulluar asnjë litër vaj nga fermerët, për shkak të çmimeve të kërkuara dhe mungesës së mundësive të shitjes jashtë vendit. Sipas tij, grosistët italianë kërkojnë vajin rifuxho me çmime rreth 3.2–3.5 euro për litër, ndërsa kostot e prodhimit në Shqipëri mbeten të larta. Jolla paralajmëron se situata mund të sjellë braktisjen e ullishteve, pasi fermerët rrezikojnë të heqin dorë nga shërbimet dhe mirëmbajtja e pemëve për shkak të mungesës së fitimit.
Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2025 u eksportua rreth 891 tonë vaj ulliri, nga 2.339 tonë në vitin 2024, duke shënuar një rënie prej rreth 62% në sasi, ndërsa vlera e eksporteve u tkurr me rreth 70%, nga rreth 1.65 miliardë lekë në 492.4 milionë lekë. Po ashtu, sipas Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2025 prodhimi i vajit të ullirit arriti në 32.3 mijë tonë, me rënie 9.2% krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa prodhimi i ullinjve ra me 2.2%, në 143.3 mijë tonë.
Përballë kërkesave të fermerëve për mbështetje në grumbullim, zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, deklaroi gjatë punimeve të Forumit të Katërt Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet se shteti shqiptar nuk mund të ndjekë modelin e Spanjës. “Ne nuk mund të veprojmë si në Spanjë, ku një sasi e lartë e vajit grumbullohet deri në stabilizimin e çmimit. Kjo është e pamundur për shkak të garantimit të cilësisë, sipas standardeve”, u shpreh Guri.
Paralajmërimi për braktisjen e ullishteve deri në prerjen e drurëve erdhi edhe prej industrialistëve të shoqatës “Albanian Food Industry” (AFI). Përmes një deklarate për median, AFI propozoi ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave për marrjen e shtatë masave urgjente, përfshirë ngritjen e një fondi për kryerjen falas të analizave të certifikimit të cilësisë së vajit për fermerët dhe ndalimin e importeve. “Heqja dorë nga shërbimet gjatë këtyre dy muajve do të sjellë një rezultat edhe më të keq vitin tjetër si për fermerët, për fabrikat, për ekonominë në tërësi dhe për konsumatorin, i cili me siguri do të ballafaqohet pastaj me çmimet monopol të importit për vajin e ullirit”, paralajmëruan industrialistët.
Ndërkohë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) propozon krijimin e njësive të përbashkëta të shërbimit për fermerët, të cilat do të ofronin mekanikë bujqësore dhe shërbime të specializuara për krasitjen, spërkatjen, mirëmbajtjen dhe vjeljen e ullinjve. Sipas kryetarit të KASH, Agim Rrapaj, ky model, i mbështetur nga subvencionet shtetërore dhe partneriteti me operatorët privatë, do të ndihmonte në uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë. Burimi: Monitor
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






