Transmetuar më 23-11-2026, 10:42

SHKODËR — Bashkitë e qarkut Shkodër janë përballur me problematika në furnizimin me energji elektrike për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe erërave të forta, ndërsa situata më e rënduar paraqitet në Fushë-Arrëz, ku janë evidentuar dëmtime në çatinë e një shkolle 9-vjeçare, në disa banesa dhe në rrugët rurale.

Sipas informacionit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, deri në orën 09:00 të datës 23 nëntor 2026, në bashkinë Shkodër erërat e forta kanë shkaktuar rrëzimin e disa pemëve, për largimin e të cilave kanë ndërhyrë shërbimet bashkiake. Në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike, ndërsa edhe në bashkinë Vau i Dejës reshjet intensive dhe erërat e forta janë shoqëruar me ndërprerje të furnizimit me energji.

Problematikat më të shumta janë regjistruar në bashkinë Fushë-Arrëz, ku si pasojë e motit të keq është dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe disa banesa. Gjithashtu, prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale, ndërkohë që ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.

Edhe aksi Fushë-Arrëz–Bardhet është bllokuar përkohësisht gjatë natës për shkak të rrëzimit të një peme, por është bërë sërish i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake. Problematika nga moti i keq janë evidentuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka pasur rënie gurësh dhe prurje inertesh, ndërsa vijon puna për pastrimin e tyre.

Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm. Sipas Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk raportohen problematika në veprat ujore, ndërsa ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në rrjetin elektrik.

Prefektura e Shkodrës bën me dije se po monitoron situatën në bashkëpunim me bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në kohë në zonat e prekura.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit