Transmetuar më 23-11-2026, 10:34

FIER — Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë zjarri i regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen “1 Maji” të qytetit të Fierit, ku mbeti i vrarë Selami Hasani dhe u plagos vëllai i tij, shtetasi J. H.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së viktimës, ku dyshohet se autorët i janë futur në shtëpi për ta ekzekutuar. Ndërsa i plagosuri J. H. është transportuar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të autorëve.

Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të rrethrrotullimit të Pojanit në Dermenas, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit dhe është braktisur prej tyre pas largimit nga vendngjarja.

Viktima, Selami Hasani, i njohur edhe si “Sel Çami” ose “Seli i malit”, ishte një emër i njohur për drejtësinë, pasi ishte dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ngjarjen e 25 marsit 2002 në tregun e kambistëve në Fier. Në atë ngjarje mbetën të vrarë Julian Isufaj, kushëriri dhe nipi i Arben Isufajt i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambisti Esat Tare, si dhe u plagosën rëndë dy persona të tjerë, në kuadër të një hasmërie të kahershme mes familjeve dhe grupeve në Fier.

Pas rreth 7 vitesh në kërkim, Hasani u kap nga forcat speciale RENEA më 12 gusht 2009 në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier, ku iu sekuestruan edhe dy pistoleta, ndërsa pas rreth 11 vitesh të vuajtura nga dënimi prej 25 vitesh, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit