

KUKËS — Reshjet e shiut të cilat kanë përfshirë Qarkun e Kukësit kanë sjellë problematika në furnizimin me energji elektrike në disa zona, ndërsa të gjitha akset rrugore kombëtare vijojnë të jenë të kalueshme.
Strukturat përgjegjëse kanë njoftuar se i gjithë territori i qarkut është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar, të shoqëruara gjatë natës edhe me erë të fortë. Si pasojë e motit të keq, rrugët kombëtare dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të rrezikuara nga rënia e gurëve, inerteve dhe vërshimi i ujërave, ndërkohë që subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin e akseve kombëtare dhe mbajtjen e tyre funksionale.
Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk janë raportuar problematika të tjera, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi një numër zonash në të tria bashkitë e qarkut vijojnë të jenë pa drita.
Në bashkinë Kukës, ndërprerjet prekin zonën industriale të qytetit dhe njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod. Në bashkinë Tropojë, pa energji elektrike raportohen njësia administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në qytetin e Bajram Currit. Ndërsa në bashkinë Has, problematika përfshin njësinë administrative Fajzë, fshatrat Kishaj dhe Pogaj në njësinë administrative Gjinaj, si dhe spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, ai po vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet dhe strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për ndërhyrje sipas nevojës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






