Transmetuar më 23-11-2026, 09:05

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka hedhur poshtë deklaratat publike se territori shqiptar është përdorur për nisjen e dronëve detarë që goditën një anije luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libi, dje më 22 nëntor 2026. Reagimi vjen pas raportimeve në rrjetet sociale dhe disa media ndërkombëtare, të cilat e lidhën Shqipërinë me sulmin ndaj korvetës ruse “Merkury”.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria tha sot se informacionet që e lidhin Shqipërinë me incidentin janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në prova të verifikueshme.

“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.”

Ministria u ka bërë thirrje atyre që kanë përhapur pretendimet t’i korrigjojnë, duke kërkuar saktësi dhe përgjegjësi në raportimin e çështjeve kaq të ndjeshme.

Çfarë ndodhi me anijen ruse në Libi?

Mëngjesin e së dielës, 22 nëntor, një shpërthim i fuqishëm goditi korvetën ruse “Merkury”, e cila ndodhej në bazën detare të Bengazit, në lindje të Libisë.

Sipas autoriteteve të Libisë lindore, anija ishte ndalur në port për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje gjatë udhëtimit të kthimit drejt Rusisë.

Agjencia Associated Press raportoi, duke cituar dy zyrtarë ushtarakë libianë që folën në kushte anonimiteti, se drejt anijes ishin dërguar disa dronë detarë. Sipas versionit të tyre, të paktën katër u interceptuan dhe u shkatërruan, ndërsa dy arritën ta godisnin anijen, duke shkaktuar shpërthim dhe zjarr.

Pamjet satelitore të kompanisë Vantor treguan se korveta ishte përmbysur dhe pjesa më e madhe e saj ishte zhytur nën ujë. Sipas Radio Evropa e Lirë, u raportuan edhe dhjetë të plagosur rusë dhe libianë.

Nga lindi pretendimi për Shqipërinë?

Pretendimi u përhap më 22 nëntor nga llogaria informative “Clash Report”, e cila, duke iu referuar një burimi të paidentifikuar, deklaroi se dronët detarë ishin nisur nga Shqipëria dhe jo nga pjesa perëndimore e Libisë.

Sipas këtij versioni, mjetet pa ekuipazh mund të kenë përshkuar më shumë se 800 kilometra përpara se të godisnin objektivin. Pretendimi u shpërnda më pas nga disa portale dhe llogari të tjera në rrjetet sociale.

Megjithatë, nuk janë publikuar prova të pavarura që të vërtetojnë nisjen e dronëve nga Shqipëria.

Madje, versioni i raportuar nga Associated Press është i ndryshëm. Dy zyrtarët libianë të cituar nga agjencia pretendojnë se dronët ishin nisur nga një bazë në Libinë perëndimore. As ky informacion nuk është konfirmuar përfundimisht nga një hetim i pavarur.

Pikërisht pas përhapjes së pretendimeve që e përfshinin Shqipërinë, Ministria e Jashtme shqiptare reagoi duke i cilësuar ato të pasakta dhe pa prova.

Hetim i përbashkët mes Libisë dhe Rusisë

Autoritetet në lindje të Libisë kanë njoftuar hapjen e një hetimi të përbashkët me Rusinë, për të përcaktuar burimin e sulmit dhe përgjegjësit.

Qeveria me seli në Bengazi e ka dënuar incidentin si cenim të sovranitetit të vendit dhe kërcënim për sigurinë detare.

Ndërkohë, sipas Reuters dhe The Guardian, një tjetër anije tregtare u godit nga një dron detar pranë Bengazit gjatë së njëjtës ditë. Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi ka kërkuar një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent për sulmet.

Përgjegjësia për sulmin ndaj korvetës ruse nuk është marrë zyrtarisht nga asnjë palë. Dyshimet janë përqendruar te Ukraina, e cila gjatë luiftës me Rusinë ka përdorur vazhdimisht dronë detarë kundër objektivave ushtarake ruse.

Deri më 23 nëntor 2026, sulmi ndaj anijes ruse është dokumentuar nga raportimet ndërkombëtare dhe pamjet satelitore, por origjina e dronëve mbetet e papërcaktuar. Shqipëria e ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit