Transmetuar më 23-11-2026, 07:47

Banka e Shqipërisë kishte njoftuar se sot ka hyrë në funksion sistemi i ri i pagesave të menjëhershme, i cili nëse funksionon vërtet, do të mundësojë kryerjen e transfertave kombëtare mes institucioneve të ndryshme financiare pothuajse në kohë reale, brenda dhjetë sekondash. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur sepse sërish transfertat jashtë secilës bankë marrin kohë deri disa ditë pune.

Bankat të ofrojnë transferta në kohë reale vetëm brenda të njëjtës bankë, por të kalosh çdo lloj vlere nga njëra bankë në tjetër, madje edhe kur je i njëjti person, kjo ndodh vetëm pasi kanë kaluar ditë.

Sistemi i ri i premtuar, presupozohet se do të shkurtojë ndjeshëm kohën e marrjes së fondeve të kredituara në llogaritë bankare të personave apo kompanive që marrin transferta.

Në një fazë të dytë, arkitektura e pagesave të menjëhershme do të sjellë edhe një alternativë të re për kryerjen e pagesave elektronike në pikat e shitjes, teksa Banka e Shqipërisë po punon për zhvillimin e një sistemi të unifikuar me QR Code kombëtar.

Përmes gjenerimit dhe skanimit të këtij kodi me telefonët celularë, konsumatorët do të mund të kryejnë pagesa në njësitë e shitjes së produkteve apo shërbimeve me një ndërveprim të thjeshtë, duke lejuar shfaqjen në çdo aplikacion pavarësisht institucionit financiar, ekzekutimin në pak sekonda dhe verifikimin paraprak të pagesës për të shmangur transaksionet e gabuara.

Këto zhvillime synojnë ta afrojnë përdorimin e pagesave të çastit në pikat e shitjes me logjikën e kartave, në një kohë kur aktualisht pagesat elektronike aty kryhen kryesisht përmes kartave dhe terminaleve POS, të cilat mbartin kosto relativisht të larta transaksioni, veçanërisht për shumat e vogla, çka shpesh i shtyn tregtarët të vendosin pragje minimale për kartat ose t’ua kalojnë komisionet blerësve, ndërsa likuidimi i plotë në llogarinë e shitësit kërkon disa ditë për shkak të përpunimit nga skemat ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, pagesat e menjëhershme bazohen në kalimin direkt të fondeve nga llogaria e blerësit në atë të shitësit përmes telefonit celular të lidhur me llogarinë dhe shërbimin e e-banking-ut me finalizim pothuajse në kohë reale dhe kosto shumë më të ulëta, duke pasur parasysh se me ndryshimet rregullatore të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ka përjashtuar nga komisionet transfertat kombëtare elektronike deri në vlerën e dyzet mijë lekëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit