Transmetuar më 22-11-2026, 22:10

Bengazi, 22 nëntor 2026 – Një shpërthim është regjistruar në bazën detare të Bengazit në Libi, ku shënjestër e mundshme e një sulmi me dron dyshohet të ketë qenë një anije ruse e ankoruar në port, ndërsa autoritetet libiane kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësit. Sipas njoftimit të qeverisë në lindje të Libisë, gjetjet paraprake tregojnë se shpërthimi ka ndodhur në bordin e anijes ruse që ndodhej në portin e Bengazit, me dyshimin se mjeti lundrues mund të jetë goditur nga një dron.

Sipas të njëjtit njoftim zyrtar, anija ishte nisur në drejtim të Rusisë dhe kishte ndaluar në Bengazi për t’u furnizuar me karburant dhe materiale të tjera të nevojshme, në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy vendeve. Pas shpërthimit në zonë ra zjarr, i cili u lokalizua dhe u vu shpejt nën kontroll nga forcat vendase, ndërsa qeveria libiane sqaroi se vetë porti, baza detare dhe magazinat përreth nuk pësuan dëmtime dhe aktivitetet vijuan normalisht pasi perimetri u sigurua.

Deri në këto çaste asnjë grup apo palë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa autoritetet libiane kanë bërë të ditur se po zhvillojnë një hetim të plotë në bashkëpunim me palën ruse për të zbuluar origjinën e sulmit dhe autorët e përfshirë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit