

Orikum, 22 nëntor 2026 – Një episod i rëndë dhune ka tronditur futbollin shqiptar këtë të diel gjatë përballjes mes KF Orikut dhe FK Kukësit, e vlefshme për Kategorinë e Parë, ku lojtarë dhe anëtarë të stafit të skuadrës verilindore pretendojnë se janë sulmuar fizikisht në ambientet e dhomave të zhveshjes gjatë pushimit mes dy pjesëve të lojës. Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka nisur teksa ekipet po largoheshin nga fusha drejt dhomave të zhveshjes dhe ka vijuar me përfshirjen e disa futbollistëve e anëtarëve të stafit vendas, ndërsa pavarësisht incidentit pjesa e dytë e takimit është zhvilluar normalisht dhe është mbyllur me fitoren minimale një me zero të Orikut.
Pas përfundimit të takimit, klubi i Kukësit ka reaguar ashpër duke dënuar dhunën dhe duke bërë të ditur se futbollistët e lënduar dhe përfaqësuesit e klubit kanë depozituar kallëzim zyrtar pranë Stacionit të Policisë Orikum, me kërkesën për ndjekjen e procedurave ligjore, identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Në deklaratën e tij zyrtar, FK Kukësi bën të ditur se dënon me vendosmëri aktet e dhunës së ndodhura gjatë pushimit të pjesës së parë të ndeshjes, kur në momentin që skuadrat po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes një prej lojtarëve të KF Orikut ka fyer dhe goditur pjesëtarë të stafit teknik të skuadrës verilindore, e më pas situata ka agravuar me përfshirjen e futbollistëve të tjerë vendas të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj lojtarëve të Kukësit dhe u kanë shkaktuar dëmtime fizike me shenja qartësisht të dukshme.
Klubi sqaron më tej se përballë kësaj situate i është drejtuar zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit të pranishëm në stadium, konkretisht delegatit Sabri Kalleshi dhe vëzhguesit Arjan Mali, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre, shqyrtimin e pamjeve filmike dhe marrjen e masave për identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës. Sipas Kukësit, pas dhunës së ushtruar dhe dëmtimeve fizike e psikologjike të pësuara nga anëtarët e skuadrës, ishte e pamundur që futbollistët të riktheheshin në fushë në kushte normale apo me respektimin e parimit të Fair Play-t, por pavarësisht kërkesës për të mos vijuar loja pa u sqaruar rasti, zyrtarët e ndeshjes kanë këmbëngulur për rikthimin e ekipit në fushë nën paralajmërimin për masa disiplinore deri në humbje në tavolinë. Përmes reagimit të saj, skuadra verilindore i kërkon organeve kompetente të FSHF-së një shqyrtim të plotë dhe të paanshëm të ngjarjes, administrimin e pamjeve filmike dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve, duke nënvizuar se dhuna nuk ka vend në futboll dhe se siguria e integriteti fizik i lojtarëve dhe stafit duhet të qëndrojnë mbi çdo rezultat sportiv.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






