

Një 49-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane është arrestuar në Vorë, gjatë një tjetër faze të operacionit policor të koduar “Fast”.
I arrestuari është Bukurosh Koçi, 49 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Apelit e Barit me 4 vite burgim për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”, raporton noa.al.
Sipas të dhënave që noa.al konfirmon nga ana e Policisë së Shtetit, Koçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për ekzekutimin e vendimit të drejtësisë italiane.
Nga dënimi prej 4 vitesh burgim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 11 muaj e 3 ditë.
Lokalizimi dhe arrestimi i 49-vjeçarit u bë nga shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Operacioni u realizua pas kontrolleve dhe informacioneve të shkëmbyera mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, që mundësuan identifikimin dhe kapjen e personit në kërkim.
Bukurosh Koçi është arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera për rrethanat e veprave penale për të cilat ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Barit.
Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet italiane për përfundimin e procedurave të ekstradimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






