

I dënuar me afro 8 vite burg në Itali, Aldo Doçaj kapet në Shkodër/ Çfarë rëndon mbi 45-vjeçarin
Një 45-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”.
Në pranga është vënë Aldo Doçaj, i njohur edhe me emrin Vuksan Daçaj, 45 vjeç, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Romës me 7 vite e 11 muaj burgim për disa vepra penale, raporton noa.al.
Sipas Policisë së Shtetit, ai është dënuar për “Vjedhje me dhunë”, të kryer në bashkëpunim, “Vjedhje me thyerje”, të mbetur në tentativë, “Kundërshtim të punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhunë ose kanosje ndaj punonjësit publik”.
Nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 5 vite, 4 muaj e 2 ditë burgim.
Arrestimi u realizua nga shërbimet e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Operacioni u zhvillua pas kontrolleve dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Aldo Doçaj u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku do të përballet me ekzekutimin e pjesës së mbetur të dënimit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






