Transmetuar më 22-11-2026, 12:59

Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Libohovë, ku një 40-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij dhe ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatike, pas një konflikti në familje.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa ndërhyrja e forcave të rendit është shoqëruar me rreth dy orë e gjysmë negociata, deri në neutralizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje ndërhynë shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi T. B., 40 vjeç, banues në Libohovë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, pas një konflikti për motive të dobëta me bashkëshorten, dyshohet se e ka kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri automatike.

Më pas, ai është larguar me automjet, duke qëlluar me armë në ajër.

Forcat e policisë organizuan operacionin e koduar “Reagimi” dhe, pas negociatave që zgjatën rreth 2 orë e 30 minuta, arritën të neutralizonin dhe arrestonin në flagrancë 40-vjeçarin.

Gjatë ndërhyrjes, policia konstatoi se arma automatike kishte fishek në folenë e fishekut dhe ishte e pajisur me krehër me municion. Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit