Transmetuar më 22-11-2026, 11:26

Elisa Spiropali ka reaguar me një mesazh të gjatë dhe të pazakontë pas Asamblesë së Partisë Socialiste, duke iu përgjigjur komenteve dhe interpretimeve për atë që mund t’i ketë ndodhur gjatë mbledhjes.

Me një gjuhë të fortë dhe plot metafora, Spiropali shprehet se nuk është e shqetësuar nga zhvillimet politike dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga bindjet e saj.

“Ca që s’më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi. U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qeniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera”, shkruan ajo.

Spiropali thekson se nuk kërkon mëshirë nga askush dhe se për të drejtësia qëndron mbi gjithçka.

“Pavarësisht nga numri i kokave të prera, 1, 7, apo 17, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia. Në këtë kuptim unë për askënd mëshirë nuk kam”, shprehet ajo.

Në mesazhin e saj, Spiropali përdor krahasime me figura historike dhe mitologjike. Ajo thotë se, po të ishte perandoreshë në një epokë tjetër, do të ndërtonte një mur shumë më të madh për ta mbrojtur botën nga njerëzit dashakeqës, ndërsa, në rolin e Kleopatrës, do të merrte pa hezitim vendime për të dënuar ose falur ata që e meritojnë, në emër të së mirës së vendit.

Ajo ndalet edhe te mediat dhe komentet publike, duke deklaruar se nuk merret me portale që, sipas saj, shpifin, televizione që thurin intriga apo njerëz që paraqiten si të ndershëm. Në vend të tyre, thotë se zgjedh të lexojë libra, vetëm në letër dhe jo në kompjuter.

Në një tjetër pjesë të reagimit, Spiropali flet për mënyrën e saj të jetesës, duke thënë se preferon një byrek me spinaq ose hithra në një fshat të Kelmendit, Zadrimës, Kolonjës apo Labërisë, në vend të ushqimeve luksoze në restorante. Për të, shton ajo, uji dhe dhalla janë më të preferuara se vera apo shampanja.

Por pjesa më e drejtpërdrejtë politike e mesazhit lidhet me këmbënguljen dhe raportin e saj me pushtetin. Spiropali shprehet se mund të presë me durim dhe se humbja apo rifitimi i një posti nuk e shqetëson.

“Unë jam si dhia. Ha gjëra të zgjedhura duke u ngjitur e zbritur nëpër shkrepa, pa u frikësuar se rrëzohem nga shkëmbi, jo më të rrëzohem e ngjitem nga froni apo kolltuku, që s’më bën asnjë përshtypje”, shkruan ajo.

“Unë ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo me javë e me muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes”, vijon Spiropali.

Ajo përdor gjithashtu tone kritike ndaj atyre që i cilëson si hajdutë dhe manipulatorë, të cilët, sipas saj, paraqiten si liberalë, kozmopolitë dhe europianë, por në të vërtetë sillen si tiranë. Në deklaratë nuk përmenden emra konkretë.

Në përfundim, Spiropali e përshkruan veten përmes një sërë metaforash për erën, shiun, breshërin dhe zjarrin, duke theksuar se karakteri i saj nuk është krijuar nga politika, por është pjesë e asaj që ka qenë gjithmonë.

“Unë jam ajo që mbaj ndezur zjarrin. Unë jam ajo që e tillë nuk u bëra, por e tillë isha dhe do jem e tëra që kur linda”, shkruan ajo.

Mesazhin e mbyll me një deklaratë dashurie për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke thënë se ka “10 milionë zemra të kuqe të përgjakura”, të cilat ua fal simbolikisht shqiptarëve kudo që ndodhen.

“Kjo jam unë. Të tjerat janë llafe kafaneje. Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje”, përfundon Spiropali.

Edhe pse reagimi vjen pas Asamblesë së socialistëve dhe përmban referenca të forta për pushtetin, drejtësinë dhe qëndresën personale, Spiropali nuk sqaron në mënyrë të drejtpërdrejtë se cilit zhvillim konkret të mbledhjes i referohet.

Deklarata e plotë nga Spiropali:

Sikur çoç më ndodhi

Ca që s’më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi.

U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s’më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera.

Mirëpo, pavarësisht nga numri i kokave të prera, 1, 7, apo 17, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia. Në këtë kuptim unë për askënd mëshirë nuk kam.

Për të mos u habitur për çfarë ndodh ose nuk ndodh me mua, duhen ditur disa gjëra, duhen pasur disa njohurira.

Për shembull, duhet ditur se, në një tjetër kohë, në një tjetër shekull, kur demokracia akoma nuk ishte shpikur, nëse do isha Perandoreshë e Kinës, për ta mbrojtur botën nga shpirtzinjtë, do të ndërtoja një Mur Kinez njëqind herë më të gjatë dhe dhjetë herë më të gjërë e më të lartë. Ndërsa po të isha Kleopatra, pa m’u trembur syri, pa më lëvizur nervi, do dënoja ose do falja gjthkënd që e meriton, dhe do ikja të flija e qetë si qengj, sepse bëra çfarë duhej bërë për të mirën e vendit tim që e dua pafund.

Unë nuk lexoj as nuk dëgjoj gazeta që kërcënojnë, shkrime që tregojnë përralla, portale që shpifin, televizione që thurin intriga, hajdutë që hiqen të ndershëm nëpër banaqe, dhe të tjera dreqnira provizore. Në vend të të gjitha këtyre, unë bëj diçka të thjeshtë dhe madhështore, të përhershme dhe të pavdekshme. Ulem e lexoj libra. Kurrë në kompjuter. Vetëm në letër.

Për mua, restoranti është vendi më i papërshtatshëm për të ngrënë. Specialitetet që servir janë më të këqijat. Çfarë pëlqej unë, nuk është havjari, as korani. Është byreku me spinaq ose hithra në një katund të Kelmendit, Zadrimës, Kolonjës, Labërisë. Mu në mes të fshatit. Mu nën hijen e lisit të kuvendit. Dhe çfarë pi unë, nuk janë as vera as shampanja, por uji ose dhalla.

Unë duroj, rri pa ujë me ditë e me javë si deveja, pres si ariu sa të ikë dimri e të vijë behari.

Unë jam si dhia. Ha gjëra të zgjedhura duke u ngjitur e zbritur nëpër shkrepa, pa u frikësuar se rrëzohem nga shkëmbi, jo më të rrëzohem e ngjitem nga froni apo kolltuku, që s’më bën asnjë përshtypje.

Unë ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo me javë e me muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes.

Çfarë unë urrej me gjithë shpirt dhe e konsideroj të keqen më të rrezikshme, janë hajdutët dhe manipulatorët që mbahen për liberalë, kozmopolitë, të drejtë, të squtë, europianë, por janë tiranë.

Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet, nxij ditën, zbardh natën.

Unë jam ajo që mbaj ndezur zjarrin.

Unë jam ajo që e tillë nuk u bëra, por e tillë isha dhe do jem e tëra që kur linda.

Unë nuk kam 1, unë kam 10 milionë zemra të kuqe të përgjakura, të cilat ua fal të gjitha 10 milionë shqiptarëve kudo ku janë, të rrahin të lira, secila me muzikën e vet, të gjitha bashkë me muzikën më të bukur të botës, atë të dashurisë së pafundme për Shqipërinë prej së cilës presim veç një shkelje syri për të bërë gjithçka.

Kjo jam unë.

Të tjerat janë llafe kafaneje.

Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit