

Tiranë, 21 nëntor 2026 – Triumfi historik i Lara Colturit në garën e slalomit të Kupës së Botës në ski alpine në Gurgl të Austrisë ka sjellë reagime entuziaste në Tiranë dhe një jehonë të jashtëzakonshme në shtypin prestigjioz ndërkombëtar. Sekretari i Federatës Shqiptare të Skive, Etrit Xhuglini, i ftuar mbrëmjen e së shtunës në emisionin Review me Greta Topjanën, vuri në dukje peshën e jashtëzakonshme që ka marrë kjo fitore për imazhin e vendit, duke theksuar se edhe e përditshmja amerikane New York Times i ka kushtuar artikull Shqipërisë falë arritjes së kampiones së skive.
Pas suksesit të parë të Shqipërisë në historinë e Kupës së Botës në ski alpine, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi këtë ngjarje një ditë historike për sportin shqiptar dhe përgëzoi Lara Colturin, duke sjellë në vëmendje edhe dy vendet e dyta të arritura prej saj në vitet 2024 dhe 2025 përpara ngjitjes në majën e podiumit. Paralelisht, presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, ka zhvilluar komunikime të drejtpërdrejta me kryeministrin Rama dhe ministrin e Sportit, Blendi Gonxhja, për këtë arritje kulmore.
Duke e vlerësuar Lara Colturin si një prej ambasadoreve më të rëndësishme të Shqipërisë në arenën sportive botërore, Etrit Xhuglini nënvizoi se ky rezultat shënon një kthesë të veçantë për skitë shqiptare. "Kryeministri ka reaguar për sportisten, ndërsa me Ramën ka komunikuar presidenti i Federatës, Elvis Toçi. Është një ditë historike për sportin shqiptar dhe një sukses që ka sjellë vëmendje të madhe për Shqipërinë edhe në mediat ndërkombëtare", u shpreh sekretari i Federatës Shqiptare të Skive.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






