Transmetuar më 21-11-2026, 22:23

Tiranë, 21 nëntor 2026 – Në prag të Ditës së Alfabetit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj nga trevat shqiptare, ku u ndal veçanërisht te çështja e përdorimit dhe statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Sipas kreut të shtetit, të drejtat gjuhësore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji nuk duhet të mbeten vetëm në letër, por duhet të gjejnë zbatim të plotë dhe të pakushtëzuar edhe në praktikë, duke e cilësuar këtë si një çështje madhore kombëtare që kërkon angazhim të përbashkët përtej ndasive politike.

Duke kujtuar fjalimin e tij të mbajtur në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe takimin me studentët protestues në Universitetin e Tetovës, Presidenti Begaj i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë faktorit politik shqiptar në Shkup, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, që të veprojë i bashkuar. "Ju besoj e dini se Presidenti i Shqipërisë mbajti një fjalë në gjuhën shqipe në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk ishte thjesht një formalitet. Ishte një mesazh për të treguar se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë në tokën e tyre, në vendin e tyre dhe kanë të drejtat e tyre, të drejta të cilat duhen mbrojtur. Jo pa qëllim bëra edhe një vizitë në Universitetin e Tetovës, ku u takova me një përfaqësi të studentëve që protestonin. Duhet që të gjithë shqiptarët, që janë përfaqësues të shqiptarëve në qeveri apo në opozitë, të bëhen bashkë për këtë çështje. Nuk ka çështje më të madhe se kjo", deklaroi Begaj, duke sjellë në vëmendje edhe shembullin historik të komunitetit arbëresh në Itali për ruajtjen ndër shekuj të gjuhës, traditave dhe identitetit kombëtar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit