

SELANIK — Xhudisti i Kosovës, Milot Gashi ka fituar medaljen e bronztë në Kupën Evropiane për Kadetë, që po zhvillohet në Selanik të Greqisë, pasi siguroi vendin në podium në kategorinë deri në 66 kilogramë me fitoren ndaj kundërshtarit serb në duelin për medalje.
Në tri përballjet e para, sportisti kosovar arriti tri fitore radhazi, duke mposhtur fillimisht me Ippon garuesin grek Nikolaos Tosounidis, më pas italianin Francesco Robert Di Benedetto dhe në ndeshjen e tretë sërish me Ippon xhudistin Ariel Yehuda Cohen.
Në çerekfinale, ai u mposht nga moldavi Vladislav Moga dhe vijoi garën nëpërmjet repasazhit, ku fitoi me Ippon ndaj grekut Anastasios Kiourtzidis, duke siguruar një vend në përballjen për medaljen e bronztë.
Në duelin vendimtar, Milot Gashi mposhti xhudistin serb Luka Dangubiç me Yuko, duke siguruar medaljen e bronztë në kategorinë deri në 66 kilogramë, në një garë ku u udhëhoq nga trajnerët Majlinda Kelmendi dhe Kushtrim Gashi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






