

CETINJË — Milos Duriçkoviç, 56 vjeç, i identifikuar si pjesëtar i klanit kriminal “Skaljari”, është vrarë me armë zjarri këtë të shtunë në qytetin e Cetinjës, në Mal të Zi, ndërsa trupi i pajetë i tij u gjet në vendbanimin Bajice.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë në Mal të Zi, shërbimi i Komisariatit të Cetinjës është sinjalizuar në orët e mëngjesit nga një qytetar, i cili kishte konstatuar praninë e një personi të pajetë, ndërkohë që policia nuk kishte marrë më parë asnjë njoftim për të shtëna me armë zjarri në atë zonë.
Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët konstatuan se 56-vjeçari M.Đ. ishte vrarë me armë zjarri, ndërsa autoritetet bllokuan zonën e ngjarjes, një perimetër më të gjerë dhe disa akse rrugore, duke nisur kërkimet për autorin.
Drejtoria e Policisë bëri të ditur se hetimet po zhvillohen në koordinim me prokurorin shtetëror pranë Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Të gjitha kapacitetet e disponueshme të Policisë janë angazhuar për zbardhjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftimin e autoriteteve malazeze.
Sipas medias malazeze “Vijesti”, Duriçkoviç ishte pjesëtar i klanit kriminal “Skaljari”, një prej grupeve të njohura të krimit të organizuar në Mal të Zi, i përfshirë prej vitesh në përplasjet me klanin rival “Kavač”, ndërsa policia nuk ka dhënë ende detaje mbi autorin apo motivet e vrasjes.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






