Transmetuar më 21-11-2026, 16:55

TIRANË — Bashkia e Tiranës ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, duke theksuar se ky institucion nuk është në varësi të kryeministrit dhe se autonomia e tij garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.

Në reagim dënohen ndërhyrjet politike në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presioni publik ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.

“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake. Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015. Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale”, thuhet në deklaratë.

Më tej, Bashkia e Tiranës shpreh shqetësimin se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi bashkinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.

“Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë. Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës. Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues. Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do t’u shërbejë deri në fund zgjedhësve të saj”, përfundon deklarata e Bashkisë së Tiranës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit