

KUKËS — Qarku i Kukësit vijon të jetë nën ndikimin e kushteve të motit me kthjellime dhe reshje të lehta shiu, ndërsa në zonat e larta malore mbi 1,000 metra lartësi, në malet Gjallicë dhe Koretnik, gjatë orëve të fundit ka pasur reshje bore.
Sipas njoftimit të Prefekturës së Kukësit, si pasojë e reshjeve, rrugët nacionale dhe ato bashkiake janë të ekspozuara ndaj rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave, por subjektet kontraktore vijojnë punën për pastrim e mirëmbajtje dhe të gjitha rrugët nacionale mbeten të qarkullueshme.
Ndërkohë, furnizimi me energji elektrike është ndërprerë në disa zona të qarkut. Në Kukës, pa energji elektrike janë fshatrat Nimçe dhe Kolesjan, ku, sipas OSHEE-së, për shkak të defekteve në kabinat elektrike, kanë mbetur pa energji 31 abonentë në Nimçe dhe 85 abonentë familjarë në Kolesjan.
Probleme me furnizimin me energji elektrike raportohen edhe në fshatin Nikoliq të Hasit, si dhe në Njësinë Administrative Lekbibaj në Tropojë.
Grupet e punës po ndërhyjnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura, ndërsa nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë deri më tani nuk ka raportime për problematika të tjera apo bllokime të rrugëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






