

MALAGË — Një punëtor pastrimi 30-vjeçar në Spanjë ka marrë një ofertë të papritur për punë të përhershme, pasi vendosi të dorëzonte në polici një zarf me më shumë se 12 mijë euro që kishte gjetur në një kosh plehrash.
Jairo Aretha Leal punonte në shërbimin e pastrimit në Algarrobo, në provincën e Malagës, kur zbuloi zarfin me paratë gjatë punës, në një periudhë kur përballej me vështirësi financiare dhe kontrata e tij e përkohshme pritej të përfundonte më 30 dhjetor.
“Janë shumë para. Mbeta i shtangur. Nuk jam i pasur, aspak. Mund të më shpëtonin nga borxhet për makinën, shtëpinë dhe një mijë e dy gjëra të tjera”, tregoi ai, duke pranuar se pas një nate të tërë mendimesh vendosi të kontaktonte këshilltarin e qytetit, Francisco Marin, dhe t’ia dorëzonte shumën policisë lokale.
Sipas tij, pyetja “Sa vlen një ndërgjegje e pastër?” ndikoi në vendimin për t’i kthyer paratë, ndërsa gjesti i tij u shpërblye nga kompania FCC, e cila i ofroi një vend pune të përhershëm.
“Ata bënë këtë gjest të bukur për shkak të ndershmërisë që tregova. Kontaktuan mbikëqyrësin tim dhe ai më tha se, për shkak të këtij veprimi, do të më mbanin përgjithmonë”, rrëfeu 30-vjeçari, ndërkohë që shuma u është kthyer pronarëve të ligjshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






