

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka premtuar rritje të vazhdueshme të pensioneve vit pas viti, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës.
Rama përmendi indeksimet e deritanishme, por theksoi se ato nuk mjaftojnë, duke premtuar se rritja e pensioneve do të dyfishohet çdo vit në krahasim me vitin paraardhës. Po ashtu, kreu i qeverisë premtoi rritje të shpërblimeve për fëmijët e porsalindur dhe mbështetje me sigurime shoqërore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe.
“Ne nuk i kthejmë dot mbrapsht vitet që ikën, por ne, falë rritjes ekonomike, mund t’ua bëjmë pak më të lehta dhe çdo vit më të lehta vitet që kanë përpara. Ja pse, nga 1 janari, siç parashikohet në buxhet, bonusi i tyre i fundvitit do të rritet. Rritja do të jetë dyfishi i rritjes së vitit të shkuar. Indeksimi i pensioneve do të afrohet në muajin prill. Askush nga pensionistët të mos mendojë se mjafton. Jo. Por ka një ndryshim mes pensionit që nuk rritet dhe pensionit që rritet çdo vit. Vitin e ardhshëm, pas këtij që vjen, përsëri do të dyfishohet rritja dhe, po ashtu, edhe në vitin e fundit të mandatit do të rritet dyfish”, deklaroi Rama.
Sa i përket mbështetjes për familjet e reja, kryeministri u shpreh se skema e bonusit të bebeve ka ndryshuar për të ofruar ndihmë mujore deri në moshën 5-vjeçare, ndërsa shteti do të mbulojë kontributet e sigurimeve për prindërit që kujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Ka ndryshuar edhe skema e bebeve. Jo më me një dorë të zgjatur dhe një urim për ditën e lindjes, por me një ndihmë çdo muaj për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare. Duam t’i rrimë pranë familjes pikërisht kur një gëzim i madh vjen në shtëpi, por edhe me një barrë të posaçme. Ambicia jonë është të shkojmë përtej kësaj, të rrisim ekonominë dhe ta shtrijmë mbështetjen në vite dhe çdo muaj. Njohja e sigurimeve për kujdestarët e fëmijëve me aftësi ndryshe është një tjetër shenjë në drejtimin e duhur. Janë të shumta nënat që e kanë të pamundur të shkojnë në punë, sepse bëjnë një punë tjetër pa orar, pa pushim javor, pa luksin për të thënë ‘u lodhëm’, duke i qëndruar mbi kokë një fëmije që ka nevojë për kujdes në çdo orë e çast. U themi të gjitha atyre nënave dhe prindërve: Ju nuk jeni vetëm, ne ju shohim. Ju nuk mund të mbeteni pa pension dhe pa kujdes mjekësor sepse nuk paguani kontribute. Ne do t’i paguajmë për ju”, përfundoi Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






