

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka folur hapur për përjashtimet nga Partia Socialiste, gjatë mbledhjes së sotme të Asamblesë së PS-së në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Rama përmendi dy të përjashtuar nga Partia Socialiste, duke iu referuar Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës, dhe deklaroi se do t’i japë fund largimeve nga puna të punonjësve në Bashkinë e Tiranës për shkak se nuk shpërndajnë postimet e Erion Veliajt.
Për kryebashkiakun Veliaj, Rama u shpreh se nuk e gjykon dot sa kohë që ndodhet pas hekurave, por shtoi se sjellja e tij karshi kryeministrit dhe Partisë Socialiste është e gabuar.
“Si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak, dhe të tjerë drejtues e punonjës të Bashkisë së Tiranës pse nuk u bëjnë like dhe share dorëshkrimeve të Lalit, nga burgu imagjinar politik apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij. Ky i fundit i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është thjesht një nga 2 të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi”, deklaroi Rama.
Në vijim të fjalës së tij, kryeministri paralajmëroi se nuk do të tolerohet askush që vepron në kundërshtim me detyrat dhe qëndrimet e partisë, duke theksuar se çështja e drejtimit të Bashkisë së Tiranës do të zgjidhet në zgjedhjet e 9 majit.
“Nuk do të tolerohet më askush që flet dhe sillet me detyrat ndaj popullit dhe kësaj familje si e ëma e Zeqos në majë të thanës. E përsëris, nuk e gjykoj dot Erionin për çfarë ai thotë dhe bën, por uroj me gjithë zemër që të kuptojë që është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe PS-në. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do të zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin anëtarë të kësaj familje, qofshin shërbëtorë politikë pa parti si Elona Lalaj, apo qofshin edhe qytetarë demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës. E dimë të gjithë që mungesa e kryebashkiakut është një problem shumëplanësh për ecurinë e punëve. Këtë do ta zgjidhim në 9 maj me fitoren në ditën e madhe të Europës”, tha mes të tjerash Rama.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






