Transmetuar më 21-11-2026, 12:08

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka folur nga Asambleja e Partisë Socialiste në Tiranë lidhur me reagimet e fundit të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe lëvizjet në administratën e Bashkisë së Tiranës.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se nuk e gjykon dot Veliajn, duke theksuar se një njeriu që nuk është i lirë i falen gabimet, por kritikoi ashpër avokatin e tij, Plarent Ndreca, për largimin e punonjësve të Bashkisë së Tiranës për arsye të pajustifikueshme.

“Një njeriu që nuk është i lirë i falet të lexojë gabim situata dhe të fantazojë duke folur gabim dhe të porosisë gabimisht punë të gabuara. Askujt që ka lirinë të marrë vendime dhe ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe të zbatojë porosi që e bëjnë bashkëfajtor në gabime”, deklaroi Rama.

Kryeministri paralajmëroi drejtuesit e Bashkisë së Tiranës se largimet nga puna me porosi nga lart nuk do të harrohen dhe as do të falen, duke përmendur konkretisht rastin e kreut të Policisë Bashkiake, Erjona Lalaj.

“Çdo drejtuesi të çdo hallke të drejtimit të Bashkisë Tiranë, që është dhe anëtar i kësaj force, i them se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga lart për motive krejt të pajustifikueshme, as nuk do të harrohet, as nuk do të falet. Ne jemi partia që e kemi çliruar shtetin nga makthi i keqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna”, u shpreh ai.

Rama akuzoi drejtpërdrejt Plarent Ndrecën se po ndërhyn në vendimmarrjen e bashkisë dhe po largon punonjës vetëm sepse nuk shpërndajnë në rrjetet sociale mesazhet e kryebashkiakut, duke konfirmuar njëkohësisht se Ndreca është përjashtuar nga Partia Socialiste.

“Si mund të largohet nga puna një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e Policisë Bashkiake, ashtu si edhe drejtues e punonjës të tjerë në Bashkinë e Tiranës? Pse nuk u bëjnë ‘like’ dhe ‘share’ dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik? Apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij? Ky i fundit i adresohet shprehimisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtor politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më asnjë pasqyrim i fjalëve të tij ndaj popullit dhe kësaj familjeje, si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, tha Rama.

Në vijim, kryeministri përsëriti se do të ketë një qëndrim të ashpër politik ndaj kujtdo që zbaton urdhra të tillë në Bashkinë e Tiranës dhe theksoi se çështja e drejtimit të kryeqytetit do të zgjidhet në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

“S’e gjykoj dot Erionin për çfarë thotë e çfarë ai bën, uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë, qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj (kreu i Policisë Bashkiake), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në Bashkinë e Tiranës. Mungesën e kryebashkiakut ne do ta zgjidhim më 9 maj, me fitoren e Tiranës në ditën e madhe të Evropës”, përfundoi Rama.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit