Transmetuar më 21-11-2026, 09:58

PRISHTINË — Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Ministrisë së Mbrojtjes iu dhurua roboti i parë tokësor pa ekuipazh (UGV) i prodhuar në Kosovë, i destinuar për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mjeti robotik me numër serik SR-4-001-KS është prodhuar nga kompania kosovaro-amerikane “STRIDAR”, ndërsa marrëveshja e donacionit u nënshkrua nga ministri Maqedonci dhe përfaqësuesi i kompanisë, Nils Alstad.

“Sot, për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes iu dhurua roboti tokësor pa ekuipazh (UGV), me numër serik SR-4-001-KS, i prodhuar nga kompania kosovare – amerikane STRIDAR. Ky është UGV-ja e parë e prodhuar në Kosovë dhe një hap i rëndësishëm për zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes”, ka shkruar Maqedonci.

Sipas tij, këto mjete robotike pa operator mund të kontrollohen nga distanca ose të kryejnë detyra në mënyrë autonome, duke u përdorur për vëzhgim, transport pajisjesh, mbështetje në zona me rrezik, si dhe mund të pajisen me sisteme armatimi të kontrolluara nga distanca.

“Zhvillimi i sistemeve të tilla dëshmon potencialin e teknologjive me përdorim të dyfishtë, të cilat mund t’u shërbejnë nevojave të mbrojtjes dhe atyre civile. Marrëveshjen e donacionit e nënshkrova së bashku me përfaqësuesin e kompanisë STRIDAR, z. Nils Alstad. E falënderoj STRIDAR-in për këtë kontribut dhe për angazhimin në zhvillimin e kapaciteteve vendore”, përfundon reagimi i ministrit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit