

TIRANË — Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një mesazh drejtuar strukturave socialiste në ditën kur mbahet Asambleja e Partisë Socialiste të Tiranës, duke bërë thirrje për ruajtjen e kontributit të anëtarësisë dhe kundër asaj që ai e cilëson si pushtet të pamerituar.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Veliaj kujton punën e nisur prej vitit 2015 në kryeqytet, duke vënë theksin se fitoret elektorale janë arritur falë angazhimit të socialistëve dhe qytetarëve të Tiranës, dhe jo përmes bandave apo krimit.
“Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës! Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës”, shkruan ai.
Në vijim, Veliaj ngre pikëpyetje mbi gjendjen aktuale të organizatës në kryeqytet, duke kritikuar sjelljen drejtuese dhe zëvendësimin e kontribuuesve të hershëm me funksionarë që, sipas tij, kërkojnë privilegje dhe besnikëri të verbër.
“Po a jemi ende ajo parti? Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve? Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve. Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh”, vijon mesazhi.
Në përfundim të reagimit të tij, Veliaj u bën thirrje anëtarëve të Asamblesë së Tiranës që të mbrojnë vlerat dhe punën e përbashkët të viteve të fundit.
“Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë. Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe. Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar. Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje, miku dhe shoku juaj, socialisti me duar të lidhura, Erion Veliaj”, përfundon postimi i tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






