

Prishtinë, 20 nëntor 2026 – Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka hedhur poshtë raportimet mediatike sipas të cilave një prej efektivëve të tij dyshohet se i ka drejtuar armën një familjari të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës së tij humanitare në Prishtinë. Përmes një komunikate zyrtare, misioni i cilësoi këto pretendime si të pabazuara dhe i mohoi në mënyrë kategorike, duke sqaruar se asnjë zyrtar i Policisë së EULEX-it nuk ka drejtuar armë ndaj askujt. "EULEX-i thekson fuqishëm se zyrtarët policorë të misionit nuk kanë drejtuar asnjë armë ndaj askujt, në asnjë moment", thuhet në reagimin zyrtar.
Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, incidenti i dyshuar u regjistrua jashtë banesës së Krasniqit në lagjen "Velania" të Prishtinës, në çastin kur familjarët po prisnin që ish-kryeparlamentari të dilte nga shtëpia për të hipur në automjetin që do ta transportonte drejt selisë së EULEX-it, teksa një pjesëtar i misionit evropian raportohet se i ka kërkuar njërit prej të afërmve të futej brenda me fjalët "Hyn mrena".
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ndodhet prej tri ditësh në vendin e tij, pasi i është miratuar një leje e përkohshme për të qëndruar pranë familjes për arsye humanitare nën përcjelljen e vazhdueshme të EULEX-it. Në sqarimin e tij, misioni evropian thekson se bëhet fjalë për një vizitë në paraburgim të realizuar për arsye të domosdoshme humanitare, duke nënvizuar se përdorimi dhe trajtimi i armëve të zjarrit nga personeli i tij zhvillohet në përputëshmeri të plotë dhe të rreptë me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






