Transmetuar më 20-11-2026, 22:02

Tiranë, 20 nëntor 2026 – Momente ankthi dhe pasigurie janë përjetuar nga pasagjerët e një avioni të linjës Ryanair, i cili po kryente fluturimin nga Manchesteri drejt Tiranës, pasi në tualetin e mjetit fluturues janë zbuluar shënime që paralajmëronin për praninë e një bombe në bord. Mesazhet e shkruara mbi letrat e tualetit kanë ngritur dyshime të menjëhershme për një kërcënim të mundshëm të sigurisë, duke aktivizuar procedurat e alarmit gjatë udhëtimit ajror.

Pas uljes së avionit në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, autoritetet e sigurisë dhe forcat e rendit kanë ndërhyrë menjëherë duke kryer kontrolle të imtësishme në të gjithë mjetin fluturues dhe bagazhet. Në përfundim të verifikimeve, policia ka konfirmuar se nuk është gjetur asnjë lëndë apo mjet shpërthyes dhe se rasti ka rezultuar një alarm i rremë, duke e mbyllur incidentin pa pasoja për udhëtarët dhe ekuipazhin, në atë që shënon rastin e parë kur vala e kërcënimeve të tilla ndaj linjave ajrore prek edhe Shqipërinë.

Njoftimi i policisë

Rinas/ Informacion paraprak

Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.

Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.

Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.

Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit