Transmetuar më 20-11-2026, 21:04

Tiranë, 20 nëntor 2026 – Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin e propozimit të emrave për kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme vendore, bazuar në një udhëzim të Sekretarit të Përgjithshëm që fton të gjitha strukturat të nxjerrin figura me reputacion dhe integritet në bashkitë përkatëse. I ftuar në televizionin Ora News, deputeti demokrat Blendi Himçi bëri të ditur se pas kësaj faze të parë të brendshme, Partia Demokratike është e gatshme të ulet në një tryezë të rrumbullakët me partitë e tjera opozitare, qoftë publikisht apo edhe larg syrit të mediave, për të arritur në kandidatura konsensuale, veçanërisht për Bashkinë e Tiranës, ku sondazhet sipas tij tregojnë se një kandidat i vetëm i frontit opozitar ka gjasa të larta për fitore.

I pyetur mbi emrat e përfolur më herët në diskutimet mes forcave opozitare për kryeqytetin, Himçi vlerësoi se zoti Binaj mbetet një figurë me integritet dhe reputacion të mirë, që në zgjedhjet e parakohshme të pezulluara më herët pas rikthimit të Erion Veliajt nga Gjykata Kushtetuese u pa si kandidaturë konsensuale. Ai theksoi se nëse partitë e tjera opozitare vijojnë të mbështesin këtë emër, edhe Partia Demokratike do të ishte dakord, duke nënvizuar megjithatë se vendimi përfundimtar duhet të dalë nga një tryezë e përbashkët dhe jo përmes imponimit të kandidaturave. "Sigurisht, ne kemi hyrë në një proces propozimesh në bazë të një udhëzimi të dalë nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ku ftohen të gjitha strukturat në nxjerrjen e emrave më të mirë që gëzojnë reputacionin dhe integritetin në bashkitë përkatëse, dhe më pas të ulemi në një tavolinë të rrumbullakët bashkëpunimi për të dalë me një kandidat të përbashkët, pasi edhe sondazhet kanë treguar se për Tiranën shanset janë shumë të mëdha që të fitohet me një front të përbashkët opozitar", u shpreh Himçi.

Duke vijuar arsyetimin e tij mbi nevojën e unifikimit përballë pushtetit, deputeti demokrat vlerësoi reagimin qytetar dhe lëvizjen studentore që sipas tij kanë thyer frikën në kryeqytet, teksa e cilësoi qarkun e Elbasanit dhe Peqinin si raste studimore të deformimit të votës. Ai solli në vëmendje fenomenet e raportuara në proceset e kaluara zgjedhore, si "treni bullgar", votimi familjar dhe kontrolli i votës gjatë numërimit, duke shtuar se Partia Demokratike ka dokumentuar raste konkrete me pamje filmike dhe se për një prej tyre ka nisur tashmë hetimi pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan. "Ne jemi të hapur qoftë edhe para kamerave, qoftë edhe pa praninë e mediave, që të ulemi dhe të nxjerrim një kandidaturë të përbashkët konkurruese me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, dhe nëse partitë opozitare do të vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim për figurën e zotit Binaj, pa diskutim edhe ne si Parti Demokratike do të ishim dakord, me rëndësi që vendimi të merret në tryezë e jo me imponim", deklaroi Blendi Himçi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit